Kopshti i ri Zoologjik do t’i shtohet shumë shpejt Tiranës, si një hapësirë e transformuar për argëtimin e fëmijëve.

Puna për projektin ka nisur dhe Kopshti Zoologjik po rikonceptohet si një mjedis i përshtatshëm edhe për kafshët, me hapësira çlodhëse për vizitorët dhe parking nëntokësor.

Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se projekti i arkitektëve gjermanë mishëron jo vetëm të bukurën, por edhe një përkujdesje të veçantë për kafshët.

“Jam shumë entuziast që dita e parë e punës nis me një projekt fantastik për fëmijët e Tiranës – një projekt, për të cilin kemi vite që flasim me kryeministrin Rama, kemi vite që e projektojmë, derisa morëm dizajnin final nga arkitektët gjermanë, të cilët kanë projektuar kopshte zoologjike në Japoni, Gjermani, Amerikë. Pritja ia ka vlejtur sepse projekti mishëron jo vetëm të bukurën, por ofron një trajtim të veçantë për kafshët”, tha Veliaj.

Ai shtoi se menjëherë pas fazës së parë të projektit, do të nisë puna edhe për transformimin e Kopshtit Botanik.

“Për Njësinë 13 dhe zonën e Liqenit shtohet një tjetër xhevahir. Në fillim rregulluam pjesën e vjetër të Liqenit, më pas liruam pjesën e vjetër në zonën e Farkës, kemi mbaruar pistën e biçikletave, pistën e vrapit, kemi shumëfishuar pemët në gjithë zonën e liruar nga koha e ish-komunës. Ka dalë një hapësirë fantastike. Duke shtuar fazën e parë të projektit, që është Kopshti Zoologjik, dhe më pas me fazën e dytë, që është Kopshti Botanik, në zemër të Tiranës përfitojmë një kontrast shumë të madh midis hapësirës urbane dhe një hapësire pak më të egër dhe ekzotike”, shpjegoi Veliaj.

Kryebashkiaku shprehu bindjen se Kopshti i ri do të jetë gati 1 qershorin e ardhshëm. Një hapësirë e veçantë në këtë kopsht i është dedikuar edhe një teatri kukullash, që do të shërbejë edhe si auditor, ndërsa do të ketë edhe dy klasa si hapësira didaktike.

“Në 1 qershorin tjetër, dhurata për fëmijët do të jetë Kopshti Zoologjik i Tiranës. Me këmbënguljen e kryeministrit kemi shtuar edhe një teatër kukullash, që do të shërbejë edhe si auditor, jo vetëm për shfaqje, por edhe për klasa, sepse duam që Kopshti Zoologjik të jetë edhe hapësirë didaktike”, tha ai.

Një nga risitë e projektit është edhe parkimi nëntokësor, i cili plotëson jo vetëm nevojat e vizitorëve, por njëkohësisht edhe të komunitetit përreth.

“Dua t’ju kujtoj se para 5 vitesh nuk bëhej fjalë të kishim parkingje nëntokësore në Tiranë; tani po flasim për parkingun tonë të shtatë. Kemi mbaruar 4, kemi dy në proces, dhe fillojmë të shtatin këtu. Do jetë një lajm i mirë edhe për banorët e zonës. Shumë prej tyre i kanë marrë pallatet me ngut në vitet ’90, në kohën e ish-komunës, të ndërtuara pa vende parkimi. Me 100 e ca vende parkimi që do i kemi në hyrje të Kopshtit Zoologjik, si për ata që do jenë vizitorë, por edhe për ata që janë qytetarë, pas orëve të Kopshtit Zoologjik, besoj që zgjidhim edhe një ngërç tjetër në një nyje shumë të frekuentuar të Tiranës”, u shpreh Veliaj.

Me rëndësi të veçantë ka rrethimi i jashtëm i Kopshtit Zoologjik, i cili do të bëhet me mur 2.50 metra nga niveli i tokës, mbi të cilin montohen kangjella 0.8m të larta. I gjithë muri do të maskohet me gjelbërim dhe pemë. Vizita në Kopshtin Zoologjik do të jetë një aktivitet që zgjat përgjatë gjithë ditës, ku përfshihen zona pikniku përgjatë itinerareve të lëvizjes, hapësira të gjelbra të lira nga strukturat dhe të veçuara për familjarë e fëmijë. Krahas këtyre, në kopsht janë të shpërndara kënde lojërash për ta bërë sa më të pasur eksperiencën për fëmijët dhe prindërit.