Vendimi mbi procedurat, kriteret dhe rregullat për zbatimin e programit të nxitjes së punësimit të personave të dalë të papunë si pasojë e COVID-19, nga data 10 mars 2020 deri në datën 23 qershor 2020, hyri sot në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Nisur nga situata e krijuar prej COVID-19, qeveria rriti me 200 milionë lekë fondin e planifikuar për skemën e papunësisë.

Programi do të zbatohet në përputhje me nevojat individuale të punëkërkuesit të papunë për t’u integruar në tregun e punës dhe me planin individual për punësimin e tyre.

Punëkërkuesit me të drejtë përfitimi janë të gjithë punëkërkuesit e papunë që kanë dalë të papunë si pasojë e COVID-19, të evidentuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe të regjistruar në zyrën e punës.

Vendimi përcakton se një punëkërkues mund të marrë pjesë vetëm një herë në këtë program, si dhe duhet të plotësojë disa kritere, ndër të cilat të ofrojnë punë me kohë të plotë, për një minimum prej 40 orësh në javë, me një pagesë mujore jo më pak se paga minimale, në përputhje me dispozitat e Kodit të Punës.

Programi i punësimit është 4, 8 ose 12-mujor në të cilin profili dhe nevojat e punëkërkuesit përshtaten me vendin e lirë nga punëdhënësi.

Për programin e punësimit katërmujor subvencionohet financimi në shumën 100% të pagës minimale për 2 muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuara në muajin e parë dhe të katërt të kontratës.

Po ashtu subvencionohen edhe kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuara çdo muaj.

Për programin e punësimit tetëmujor subvencionohet financimi i pagës minimale në shumën 100% të kompensuara në muajin e parë, të dytë, të shtatë dhe të tetë të kontratës. Po ashtu edhe kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuara çdo muaj.

Ndërsa për programin e punësimit 12-mujor subvencionohen kostot e financimit të sigurimeve të detyrueshme (kontribut i punëdhënësit dhe punëmarrësit) në masën 100%, të llogaritura në bazë të pagës minimale, gjatë të gjithë kohëzgjatjes së programit, të kompensuara çdo muaj.

Pas nënshkrimit të kontratës së punës nënshkruhet marrëveshja tripalëshe për zbatimin e programit. Nëse punëdhënësi zgjidh në mënyrë të njëanshme kontratën me përfituesin për shkaqe të pajustifikuara, punëdhënësi është i detyruar të kthejë 100% të mbështetjes financiare të përfituar deri në atë moment.

Po ashtu, nëse punëdhënësi nuk respekton marrëveshjen tripalëshe për zbatimin e programit, ai përjashtohet nga pjesëmarrja në program për një periudhë katërvjeçare.