Ndonëse e ka paralajmëruar vazhdimisht rrezikun e përhapjes së koronavirusit, OBSH thotë se masat e reja të izolimit në vendet evropiane nuk janë të nevojshme.

Udhëtimet e pushimeve kanë bërë që në kontinentin e vjetër të ketë një rritje shqetësuese të numrit të rasteve të të infektuarve. Por Hans Kluge, kreu i degës evropiane të OBSH-së tha se “ ne mund ta menaxhojmë virusin dhe ta bëjmë ekonominë të funksionojë”.

Italia, Franca, Spanja dhe Gjermania janë ndër vendet ku është shënuar shtim të infektimeve me Covid-19 në këtë periudhë. Në 20 gusht, Italia regjistroi 845 raste të reja, niveli më i lartë ditor ky i infektimeve që nga muaji maj. Franca raportoi 4.700 raste, ndërsa Gjermania 1,707 të tilla, që për këtë vend, përbëjnë shifrën më të lartë që prej muajit prill. Por pavarësisht kësaj situate, numri i rasteve të reja në Shtetet e Bashkuara mbetet ende shumë më i lartë se në Europë, duke shkuar në 46.000 të tilla.

Të dhënat e Universitetit prestigjioz Johns Hopkins tregojnë se në gjithë botën numri i të infektuarve me Covid-19 ka mbërritur në 22 milionë.