Vizitorët janë rikthyer në Parkun Arkeologjik të Apolonisë në Fier, ku natyra dhe trashëgimia kulturore janë në një simbiozë të shkëlqyer. Në vijim të promovimit të destinacioneve turistike shqiptare, deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati ftoi sot qytetarët të vizitojnë parkun arkeologjik të Apolonisë. “Një vlerë e historisë dhe antikitetit në rang botëror që na bën krenarë si shqiptarë për trashëgiminë tonë historike dhe kulturore”, tha ai. Themeluar në vitin 588 P.K, Apolonia është një nga qytetet më të vjetra të kontinentit Europian. “Me mbi 1,000 vite histori të pandërprerë si qytet dhe me një popullatë deri në 60.000 banorë, Apolonia është më i rëndësishmi qytet nga të 30 qendrat urbane ndërtuar gjatë antikitetit në nder të vetë Perëndisë Diell: Apollo i muzikës, poezisë, kërcimit, harkut, dritës, së vërtetë dhe profecisë dhe shëndetit”, tha Bushati.

Ai theksoi se “këtu Augustus, Perandori I i Romës studionte retorikën dhe artin e fjalimit ndërsa mori lajmin mbi vrasjen e dajës së tij Jul Çezarit në Senatin Roman”. “Kandidat për qendrat UNESCO në botë, sot është jo vetëm një pasuri kulturore e Shqipërisë por me krenari them se është pjesë kryqëzore e identitetit tonë thellësisht europian. Në krahun matanë në një tjetër kodër, kemi akoma tempullin e lashtë, nga mitologjia kushtuar motrës së tij binjake të perëndisë Artemisë (Ardenicë sot)”, tha Bushati. Apolonia në Fier është një nga sitet më të mëdhenj të Shqipërisë, por edhe një nga qytetet më të mëdhenj në botën antike. Si një nga 27 Apolonitë e pellgut të Mesdheut, ajo është një nga vlerat e perlat e trashëgimisë tonë arkeologjike.