Epiki i mjekëve italianë dhe i Mbrojtjes Civile kanë përfunduar sot misionin e tyre në Shqipëri, ku kanë ofruar eksperiëncën e vyer për ekipet e mjekëve shqiptarë në spitalet COVID si dhe për menaxhimin dhe organizimin spitalor.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu priti sot në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë ekipin e mjekëve italianë në përfundim të misionit të tyre në vendin tonë, me praninë edhe të ambasadorit të Italisë në Shqipëri, z. Fabrizio Bucci.
“Vetëm nëpërmjet solidaritetit dhe veprimeve të unifikuara do të mund t’a fitojmë luftën me virusin e rrezikshëm. Eksperienca juaj në spitalet COVID dhe këshillat konkrete për organizimin spitalor janë të vyera dhe ndihmojnë strategjinë tonë të përgjigjies së sistemit shëndetësor ndaj situatës, me planin e vjeshtë-dimrit që ne kemi përgatitur për të përballuar një rritje të mundshme të numrit të rasteve. Unë jam e bindur se ky mision nuk do të jetë i vetmi por bashkëpunimi ynë do të vijojë edhe në misione të tjera”, tha Manastirliu. Mjekët italianë shprehën vlerësimin për ekipin e mjekëve shqiptarë që aktualisht janë në përballje me pacientët e prekur nga COVID19 dhe u shprehën të gatshëm për vijimin e bashkëpunimit.
Ambasadori i Italisë në Shqipëri, z. Fabrizio Bucci tha gjatë takimit se: “Ky është vetëm fillimi dhe bashkëpunimi mes dy vendeve tona do të vijojë”. Dy javë më parë, Task forca e Emergjencave Civile italiane e përbërë nga shtatë ekspertë erdhi në Shqipëri në mbështetje të vendit tonë në përballimin e situatës së shkaktuar si pasojë e COVID10. Grupi i ekspertëve zhvilloi veprimtari konsulence dhe ndihmoi me qëllim formimin e veçantë të homologëve shqiptarë për çështje që kanë të bëjnë me aspektin shëndetësor specifik në diagnostikimin dhe luftën ndaj Covid. Grupi përbëhej nga një mjek urgjence, një anestezist dhe nga një funksionar i Emergjencave Civile të Qarkut të Puglia-s, nga një mjek dhe një infermier urgjence i Qarkut të Lombardisë, një mjek infeksionist i Qarkut të Lazio-s dhe nga një infermiere urgjence e Qarkut të Piemontes, e cila është nga Shqipëria. Ndërsa pritet të vijojë bashkëpunimi me misione të tjera për shkëmbimin e eksperiencave mes dy vendeve tona.