Numri i vdekjeve nga aksidenti në Indi ka shkuar në 18 persona, ndërkohë që 16 prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Punëtorët e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet për të mbijetuarit nga përplasja e aeroplanit ditën e djeshme. Avioni Air India Express, i cili po riatdhesonte indianët e bllokuar në Dubai për shkak të pandemisë së koronavirusit, është aksidentuar gjatë uljes në pistë, ndërkohë që po binte një shi i fortë. Ky është aksidenti më i keq i avionëve të pasagjerëve në Indi që nga viti 2010.

Avioni kishte 190 pasagjerë dhe ekuipazh. Fatkeqësisht piloti dhe ndihmës-piloti mbetën të vrarë në aksident. “Të gjithë pasagjerët janë pranuar në spitale të ndryshme, por ata gjithashtu janë duke u testuar edhe për COVID-19”, shkruan Reuters. Në vitin 2010, një tjetër fluturim i Air India Express nga Dubai u rrëzua gjatë uljes në pistë duke u përplasur me një kodër, ku si pasojë humbën jetën 150 persona. Sipas raportimeve nga zyrtarë, autoritetet arritën të shpëtonin pjesën më të madhe të pasagjerëve për shkak se nuk ra zjarr pas përplasjes. Autoritetet po punojnë për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të përplasjes së avionit në pistë.