Bashkia Pogradec ka rihapur për pushuesit plazhin e vjetër publik të Uçkave, pas investimit që e ka transformuar atë në zonë me hapësirë të zgjeruar plazhi, me rrugë të shtruar për këmbësorët, me stola, ndriçim dhe gjelbërim. Ministri i Shtetit për Sipërmarrjen, Eduart Shalsi ka publikuar foto nga ky plazh që tregojnë dy realitete të kundërta, në kohën para investimeve dhe sot i transformuar tërësisht në një zonë pushimi me standarde dhe hapësira moderne.
“Plazhi i Uçkave, përveçse u rikthye në identitet një prej zonave më të bukura dhe aq të preferurara bregliqenore, “Plazhi i Uçkave” risolli edhe nostalgjinë e dikurshme të pogradecarëve dhe jo vetëm. I ashtuquajtur i tillë nga pogradecarët qysh prej kohës kur shërbente si një mol i thjeshtë dhe i bukur ngritur mbi “uçka”, ku varkëtarët nisnin dhe mbyllnin ditën e tyre , ai sot shërben si një nga pjesët më të frekuentuara të liqenit dhe qytetit”,- thekson ministri.