“Bindja ime e pandryshuar është që publiku kërkon dhe meriton protagonizmin efektiv të individit që ka zgjedhur si kryeministër dhe jo të bashkëshortes së tij”.
Me këto fjalë, në një nga të rrallat dalje publike të saj, Linda Rama i shmanget me një sens të fortë, por të natyrshëm modestie, dëshirës për protagonizëm që jemi mësuar të shohim zakonisht në jetën publike shqiptare.
Bashkëshortja e kryeministrit dhe një prej politikanëve më jetëgjatë, me një thjeshtësi mbresëlënëse promovon forcën e individualitetit njerëzor, për të cilin nuk ka nevojë të jesh bashkëshortja e dikujt.
Nëse kërkon në të kaluarën e Linda Ramës, në secilën nga etapat e jetës së saj gjen pak nga thelbi i personalitetit të një zonje aktive në jetën akademike dhe atë publike.
Por cili është rrugëtimi që ka formësuar dimensionin profesional të Linda Ramës?
Linda Rama është diplomuar shkëlqyeshëm në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Puna e parë ishte në Kombinatin e Tekstileve, Tiranë, një ndërmarrje tipike socialiste, që shënoi kontaktin e saj të parë me praktikën e ekonomisë së ngurtësuar në plane të centralizuara. Njëkohësisht, ajo angazhohet si pedagoge në Universitetin e Tiranës për lëndën “Organizimi dhe Planifikimi i Ndërmarrjeve Industriale”.
Në vitin 1992, Linda largohet nga Shqipëria drejt Universitetit të Evropës Qendrore në Pragë, për të ndjekur studimet e nivelit master në ekonomi. Në vitin 1993 rikthehet në vend për të qënë e para ekonomiste e pas viteve ’90 -të në Shqipëri me titullin “Master në Ekonomi”.
Në vitin 1994, i kthehet angazhimit si lektore me kohë të pjesshme e Financave Ndërkombëtare në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë dhe disa vite më pas si lektore e Politikave Publike dhe Menaxhimit të Riskut Publik në Universitetin Europian të Tiranës.
Në vitin 1996 merr gradën shkencore “Doktore e Shkencave Ekonomike” me punimin “Reforma Ekonomike dhe Privatizimi Masiv në Shqipëri”. Po nga ky vit, kontribuon për tre vite si Anëtare e Bordit Mbikëqyrës të Qendrës për Regjistrimin e Aksioneve, institucion që i parapriu çeljes më pas të Bursës së Tiranës.
Në momentin kur Shqipëria po kalonte pasojat e rënda të shembjes së një sistemi piramidash financiare, në vitin 1997, ajo merr detyrën e Drejtores së Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Privatizimit nën varësinë e Këshillit të Ministrave.
Përtej kontributit në administratën publike, Linda Rama njihet edhe për angazhimin e saj në terrenin e kërkimit shkencor dhe shoqërisë civile. Në vitin 1999, teksa Shqipëria përballej me nevojën për ringritje pas krizave, Linda merr nismën për bashkëthemelimin e një ndër institucioneve të para kërkimore të pavarura në Shqipëri, Qendrës për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor. Qendër kjo që lindi me misionin për të nxitur e trajtuar konstruktivisht debatet për ekonominë, qeverisjen, zhvillimin njerëzor etj.
Linda do të dallonte për pasionin e saj në çështjet që lidhen me të drejtat e njeriut dhe shoqërisë civile në Shqipëri.
Ajo është një nga bashkëthemelueset e Aleancës Shqiptare të Fëmijëve, advokuese e fushatës “Thuaj po për fëmijët”, që është pararendëse e Lëvizjes Botërore për Fëmijët. Në vitin 2002, do të angazhohej si kontribuese e akredituar në Seancat e Komitetit Përgatitor për Sesionin Special të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Fëmijët.
Kontributi i saj do të thellohej për pesë vite si anëtare dhe më tej, si Kryetare e Bordit Mbikëqyrës të Fondacionit për Shoqërinë e Hapur për Shqipërinë dhe më vonë si anëtare e Këshillit Drejtues të Bankës Amerikane të Investimeve.
Njerëzit që kanë punuar apo bashkëpunuar me të, veçojnë te Linda ndjeshmërinë e saj ndaj grupeve më të ekspozuara të shoqërisë si gratë, fëmijët, shtresat në nevojë. E prirur nga kjo lloj ndjeshmërie, Linda ka kontribuar në vitin 2021 si bashkautore e dhjetëra studimeve, raporteve, artikujve për mirëqeverisjen, politikat publike, zhvillimin njerëzor.
Kështu, Linda Rama ka ditur të ndërtojë një profil të konsoliduar, që në fakt nuk përfaqëson vetëm arritjet e saj individuale. Ai mbetet në thelb, modeli përfaqësues i forcës emancipuese të grave dhe vajzave shqiptare, që aftësitë e tyre, përpjekjet dhe investimin personal e vendosin në shërbim të vendit. Vlerë kjo, që e bën bashkëshorten e kryeministrit, të mbesë përgjithmonë Linda, një profesioniste e paepur, pavarësisht statusit të saj të ri në jetën publike të vendit.