Qeveria ka gati një program punësimi për ata që janë larguar si pasojë e krizës së shkaktuar nga Covid-19. Ai/ajo që ka dalë i/e papunë për shkak të krizës së shkaktuar nga kriza shëndetësore botërore, për periudhën 10 mars deri më 23 qershor, ka mundësi të bëhet pjesë e programit të qeverisë për t’u punësuar në sektorin privat. Paga minimale me ligj prej 26 mijë lekë do të subvencionohet për të gjithë që do të jenë pjesë e programit nga shteti për 2 muaj nëse kompania punëson me kontratë 4-mujore punëkërkuesin dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të punësuarit për gjithë periudhën.

Për programin 8-mujor të punësimit subvencionimi nga shteti i pagës minimale do të jetë për 4 muaj dhe të kontributeve për gjithë periudhën.

Nëse kontrata lidhet 1-vjeçare, shteti merr përsipër të subvencionojë vetëm kostot e sigurimeve të detyrueshme për 12 muaj. Programi u miratua në mbledhjen e fundit të qeverisë.

Vendimi përcakton se personat e dalë të papunë për muajt 10 mars deri më 23 qershor, duhet të jenë të evidentuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe të regjistruar në zyrën e punës. Sakaq punëkërkuesi mund të marrë pjesë vetëm një herë në këtë program të punësimit.

Për t’u bërë pjesë e programit të punësimit punëdhënësi duhet të plotësojë disa kritere; regjistrimi si shoqëri tregtare, të mos ketë shkelur ligjin e punësimit përpara shpalljes të pandemisë, vendi i punës i financuar nga ky program, duhet të vijë si rezultat i rritjes së fuqisë punëtore në aktivitetin e punëdhënësit, të mos ketë detyrime ndaj tatimeve etj.

Ata që mund të përfshihen në program

Sipas vendimimt të qeverisë, mund të përfshihen në program punëkërkuesit që kanë dalë të papunë si pasojë e COVID-19, të evidentuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe të regjistruar në zyrën e punës.

Një punëkërkues mund të marrë pjesë vetëm një herë në këtë program.

Kriteret:

Punëdhënësi përpos të tjerash, duhet të ofrojë punë me kohë të plotë, për një minimum prej 40 (dyzet) orësh në javë, me një pagesë mujore jo më pak se paga minimale, në përputhje me dispozitat e Kodit të Punës; Vendi i punës, i financuar nga ky program, duhet të vijë si rezultat i rritjes së fuqisë punëtore në aktivitetin e punëdhënësit; Të jenë shoqëri tregtare, të cilat nuk kanë detyrime ndaj organeve tatimore para datës 10 mars, në bazë të akteve normative në fuqi ose, në momentin e kërkesës për këtë program, të vërtetojnë se:

i. kanë lidhur marrëveshjet përkatëse për shlyerjen e këtyre detyrimeve dhe janë të rregullta në shlyerjen e tyre; kanë shlyer detyrimet por kanë ende pa paguar gjobat;

kanë shlyer detyrimet ose kanë vendosur garanci bankare për shumën e plotë të detyrimit, në përputhje me nenin 107, të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe janë në proces të apelimit administrativ e në procese gjyqësore me organet tatimore.

Kostot që subvencionon shteti

Programi i punësimit është një program 4, 8 ose 12-mujor punësimi, në të cilin profili dhe nevojat e punëkërkuesit përshtaten me vendin e lirë nga punëdhënësi; Paga përcaktohet në kontratën e punës, në përputhje me pozicionin përkatës dhe nivelin e pagave në treg.

TemA: Programi subvencionon:

Për programin e punësimit katërmujor:

Financimin e pagës në shumën 100% të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi, për 2 muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuara në muajin e parë dhe të katërt të kontratës; Kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuara çdo muaj.

Për programin e punësimit tetëmujor:

Financimin e pagës në shumën 100% të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi, për 4 (katër) muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuara në muajin e parë, të dytë, të shtatë dhe të tetë të kontratës; Kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuara çdo muaj.

Për programin e punësimit 12 (dymbëdhjetë) mujor

Sipas VKM-së së miratuar, subvencionohen kostot e financimit të sigurimeve të detyrueshme (kontribut i punëdhënësit dhe punëmarrësit) në masën 100%, të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së programit, të kompensuara çdo muaj.

Procedura

Punëdhënësit mund të kërkojnë për përfshirjen në program në rrugë elektronike, duke ngarkuar në faqen e internetit: a) formularin përkatës të plotësuar, sipas modelit standard të miratuar dhe të publikuar nga institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë;

autorizimin e punëdhënësit, me të cilin autorizohet institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë për të kryer të gjitha verifikimet dhe kërkimet e nevojshme të dokumenteve dhe të të dhënave të kërkesës;

vetëdeklarim për mospasjen në ngarkim të punëdhënësit, të shkeljeve apo të sanksioneve që lidhen me legjislacionin e punës, përgjatë dy viteve të fundit. Pas marrjes së kërkesës nga punëdhënësi, struktura vendore e punësimit kryen verifikimet e nevojshme.

Struktura vendore e punësimit verifikon, brenda 7 (shtatë) ditëve punë, plotësimin e kushteve formale paraprake të kërkesës dhe përputhshmërinë e tij me rregullat e zbatueshme të programit. Në rast të mosplotësimit të kushteve paraprake, struktura vendore e punësimit i kërkon kërkuesit plotësimin e dokumentacionit.(gazetaSI)