Ndonëse të gjithë janë në dijeni të faktit se konsumi i cigareve të pakontrolluara është më i dëmshëm si për shëndetin ashtu dhe për ekonominë e vendit, konsumi i tyre ende njeh ritme të larta. Si në vendin tonë, ashtu dhe në shtete të tjera të botës, duhanpirësit bëhen ‘viktima’ të tregtimit të paligjshëm të cigareve nga rrjete të pakontrolluara. Pavarësisht thirrjeve që bëjnë institucionet e shëndetit lidhur me konsumin e këtyre produkteve të prodhuara në mënyrë të paautorizuar nga punishte të paligjshme, tregtimi i tyre në tregun e zi vijon.Këto produkte, për të joshur konsumatorët në treg, vijnë përmes çmimeve të lira, dhe sigurisht nuk paguajnë taksa, duke shkaktuar humbje të të ardhurave në buxhetin e shtetit që nënkupton më pak para të shpenzuara për shkolla, spitale ose shërbime publike. Prodhuesit për të rritur fitimet e tyre, përdorin materiale me cilësi të dobët, për të prodhuar cigare që në dukje janë si markatë njohura. Ato zakonisht kanë cilësi shumë të ulët dhe mund të përmbajnë përbërës që nuk gjenden në produkte origjinale si p.sh. metale të rënda të rrezikshme, mbeturina të lëna nga minjtë dhe gjethe nga më të ndryshmet, etj.
Një nga mënyrat e tregtimit të paligjshëm të cigareve janë dhe cigaret e hapura, term familjar nga duhanpirësit. Ky fenomen i blerjes së cigareve me copë është i përhapur në vende të ndryshme të botës dhe është identifikuar si një kërcënim për shëndetin publik sepse i bën cigaret më të arritshme dhe më të përballueshme për individët me pak të ardhura të disponueshme, përfshirë të miturit dhe të rriturit me disavantazh social-ekonomik. Një shqetësim tjetër është që në rastin e cigareve të hapura konsumatorët janë më pak të ekspozuar ndaj mesazheve të paralajmërimit shëndetësor të vendosura në paketat e cigareve. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një grup studiuesish realizuan një fokus grup për të kuptuar më mirë arsyet që çojnë duhanpirësit drejt blerjes së cigareve të hapura. Pjesëmarrësit e studimit dhanë dy arsye kryesore për blerjen e cigareve të hapura në krahasim me paketat e paligjshme. Një arsye është mungesa e parave të mjaftueshme për të blerë një paketë të plotë. Një tjetër arsye është dhe kontrolli i konsumit të cigareve, në mënyrë që të reduktojnë sasinë që konsumojnë çdo ditë.
Sipas këtij fokus grupi, më aktivët në blerjen e cigareve të hapura ishin gjinia femërore (57.1%) krahasuar me 33.3% të pjesëmarrësve meshkuj, dhe grup mosha 18-24 vjeç (85.7%), ndërsa pjesa më e ulët (13.3%) u gjet në mesin e pjesëmarrësve të grup moshës 45-64 vjeç. Shumica e pjesëmarrësve në studim raportuan të blinin cigaret e tyre me copënë dyqane të licencuara me pakicë në lagjen e tyre, megjithëse shitësit në rrugë dhe në disa raste miq dhe të afërm u përmendën si burime alternative.