Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj, po qëndron në një vizitë njëditore në Luginë të Preshevës, për të parë situatën epidemiologjike në këtë zonë të banuar me shumicë shqiptare.
Gjatë vizitës në Preshevë, Zemaj tha se Qeveria e Kosovës do të ndihmojë shqiptarët në komunat në jug të Serbisë (Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc) në përballje me koronavirusin, që shkakton sëmundjen COVID-19.
“Është vlerësim i Qeverisë së Kosovës që kujdesi për shëndetin të përfshijë të gjithë shqiptarët kudo që janë që të kemi një situatë të qartë dhe nën kontroll pandeminë. Insistimi ynë është që kujdesi për këta qytetarë të jetë i vazhdueshëm edhe me resurse tjera edhe me ngritje të kapaciteteve tjera. Këto biseda do të konkretizohen me veprime të qarta që shqiptarët e kësaj ane të jenë të sigurt edhe kur i ofrohen shërbime nga Qeveria e Beogradit”, tha Zemaj.
Zemaj tha se ka pasur kontakte me autoritetet shëndetësore në Serbi dhe se Qeveria e Beogradit ka raportuar se është rritur kujdesi shëndetësor dhe testimi i qytetarëve shqiptarë në Luginë të Preshevës, për COVID-19.
“Do të vazhdoj dhe do të këmbëngul që shërbimet të ofrohen edhe për shqiptarët e kësaj ane dhe të mos kemi dallime. Këta janë qytetarë të kësaj pjese që paguajnë taksat dhe duhet t’i ofrohen këto shërbime”, tha ai.