Në 26 nëntorin që po vjen nxënësit dhe mësuesit e gjimnazit “Arif Sula” në Mamurras të Kurbinit, do të hyjnë në mjedise të reja me kushte optimal. Kryeministri Edi Rama ka publikuar foto nga kantieri i ndërtimit të shkollës “Arif Sula”, e cila u shemb si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit të vitit të shkuar.

“26 nëntori i shkuar i la pa strehë mësimore fëmijët e mësuesit e gjimnazit “Arif Sula” Mamurras, Kurbin, por në 26 nëntorin që po vjen, ata do të hyjnë në një shkollë të re, me kushte optimale, e pakrahasueshme me të vjetrën dhe pa dallim nga shkollat nëntëvjeçare të komunave kudo në Europë”, shprehet Rama. Kryeministri deklaron se “143 shkolla të reja me standarde europiane, të gjitha gati brenda vitit 2021, në vend të godinave të sojsojshme të goditura nga fatkeqësia e fundvitit 2019, janë një përgjigje kuptimplotë në emër të Shqipërisë që duam”.