Situata e krijuar prej pandemisë së COVID-19 ka bërë që eksportet shqiptare drejt tregjeve ndërkombëtare të shënojnë ulje gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019, por grupet “ushqime, pije, duhan” dhe “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” kanë shënuar një rritje të lehtë. Referuar të dhënave të publikuara nga INSTAT së fundmi, eksportet, gjatë këtij shtatëmujori janë ulur me 16,8%, krahasuar me një vit më parë.
Grupet që kanë ndikuar kryesisht në uljen vjetore të eksporteve, janë “tekstile dhe këpucë” me -8,8%, “materiale ndërtimi dhe metale” me 4% dhe “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 3,4%. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar pozitivisht grupi “ushqim, pije, duhan” me 0,7% dhe “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 0,1%. Rritja e eksporteve të makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit lidhet me hyrjen në vendin tonë të disa kompanive që prodhojnë sisteme kabllore apo pjesë të tjera për makinat.
Vitet e fundit ka një dinamikë zgjerimi të industrisë automotive në vendin tonë, ku kompani të mëdha ndërkombëtare po hapin fabrika. Shqipëria vlerësohet se ka kapacitete dhe potencial për t’u rritur në këtë drejtim. Ky është padyshim një shans për Shqipërinë që ka ndikim social, pasi punësojnë një numër të konsiderueshëm njerëzish, por që sjell me vete edhe njohuri që në afatgjatë mund të kthehet në avantazh.
Qeveria e ka mbështetur zhvillimin e kësaj industrie përmes disa lehtësive fiskale.
Prej 1 janarit të këtij viti është reduktuar shkalla e tatimfitimit në 5%, nga 15% që është për bizneset e tjera. Krahas reduktimit të normës së tatim fitimit, një tjetër lehtësi është mbartja e humbjeve për një periudhë 5-vjeçare për tatimpaguesit, që investojnë në projekte biznesi me vlerë mbi 1 miliardë lekë.