Punimet në kantierin e rrugës së Lumit të Vlorës vijojnë në asfaltimin e segmentit Gjorm-Ura e Laskos. Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri ka ndarë pamje nga ky projekt i rëndësishëm infrastrukturor ku po punohet me intensitet për zbatimin e një investimi me standarde bashkëkohore dhe sipas parametrave më të mirë rrugorë.
Gjiknuri shprehet se, “në segmentin Gjorm-Ura e Laskos vazhdon puna për asfaltimin e shtratit të rrugës së Lumit të Vlorës”. “Një tjetër vepër infrastrukturore e premtuar që po bëhet realitet prej qeverisë së Partisë Socialiste dhe Kryeministrit Rama”, – tha ai. Projekti parashikon edhe punime civile, vepra arti, elementët e sigurisë rrugore, sistemi i ndriçimit, vendkalime për këmbësorët.
Qendrat e fshatrave janë parashikuar të trajtohen si zona urbane duke përfshirë ndërtimin e trotuarëve, sistemit të ndriçimit dhe gjelbërimin. E konsideruar si zemra e Labërisë krahina ka 50 000 banorë në 100 fshatra. Peizazhi piktoresk, uljet dhe ngritjet e relievit, historia dhe traditat përbëjnë një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim. Përveç lidhjes së fshatrave të krahinës me Vlorën, projekti ka për qëllim të lidhë Vlorën me Himarën dhe të krijojë akses më të afërt dhe të shpejtë për Gjirokastrën e Tepelenën drejt bregdetit të jugut.