Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres paralajmëroi se pandemia e COVID-19 jo vetëm që kërcënon rezultatet në luftimin e varfërisë globale dhe ndërtimin e paqes, por rrezikon të përkeqësojë konfliktet ekzistuese dhe të nxisë të reja. Shefi i OKB-së, gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit, foli mbi vështirësitë e ruajtjes së paqes gjatë pandemisë, duke thënë dhe se thirrja e tij më 23 mars për një armëpushim të menjëhershëm në konflikte në të gjithë botën, bëri që një numër i palëve ndërluftuese pushuann së luftuari.
“Megjithatë, për fat të keq, në shumë raste, pandemia nuk i shtyu palët të pezullojnë armiqësitë ose të bien dakord për një armëpushim të përhershëm”, tha Guterres. Sipas tij pandemia ka ngritur pyetje në lidhje me efektivitetin e sistemeve shëndetësore, shërbimeve sociale, besimin në institucione dhe sistemet e qeverisjes. “E gjithë kjo do të thotë që angazhimi ynë për të mbajtur paqen është më urgjent se kurrë”, tha ai. Në muajin mars, Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli pandeminë nga koronavirusi i ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.
Rastet e para u paraqitën në Kinë në fund të vitit të kaluar për tu përhapur shumë shpejt në të gjithë botën.
Numri i të infektuarve në botë ka arritur në mbi 20 milionë, ndërsa 749,372 kanë vd ekur.