Kryeministri Rama ka publikuar këtë të diel historinë e suksesit të Fatosit, i cili punën e tij nga një ngastër në vitet ’90 dhe pa asnjë mbështetje, e ka shndërruar sot, falë mundit të vet po edhe mbështetjes së qeverisë , në një prej eksportuesve më të mëdhenj të domates-qershi në Europë.

Rama thotë se “këto pamje mbresëlënëse nga ajri që të japin iluzionin e një qilimi të thurur e shtruar me kujdes, tregojnë plot 400 hektarë sera, të mbjella nga njerëzit e zakonshëm, familjarë të mirë e punëtorë të palodhur, që jetojnë e fitojnë përmes bujqësisë. Në këtë terren ku rrezaton shpirti i suksesit shqiptar, Fatosi e nisi punën në vitet ‘90 në një ngastër e pa asnjë mbështetje, duke u shndërruar sot, falë mundit të vet po edhe mbështetjes sonë, në një prej eksportuesve më të mëdhenj të domates-qershi në Europë. Kompania e tij “TOMATO-AL” mbledh sot prodhimet e plot 1500 familjeve fermere, që përmes bashkimit të forcave dhe organizimit të përbashkët me Fatosin, nuk çojnë dëm asnjë pikë djersë të mundit të tyre”.

Sipas Kryeministrit, vetëm gjatë këtij viti, faktet e shifrat tregojnë se pavarësisht situatës së jashtëzakonshme me COVID-19, eksportet e këtij rrjeti të organizuar fermerësh janë rritur me 50 % dhe sot, ambicia e Fatosit është të bëhet eksportuesi i parë e kryesor i domates së mbjellë në Shqipëri.

“Vetëm gjatë këtij viti, faktet e shifrat tregojnë se pavarësisht situatës së jashtëzakonshme me COVID-19, eksportet e këtij rrjeti të organizuar fermerësh janë rritur me 50 % dhe sot, ambicia e Fatosit është të bëhet eksportuesi i parë e kryesor i domates së mbjellë në Shqipëri. Gara është gjithnjë e më fortë, fatosët e bujqësisë shqiptare që po rilindin mes njëmijë e një vështirësive, janë gjithnjë e më shumë dhe ne do të jemi pranë tyre edhe më shumë akoma”, shprehet Rama.

“Kjo është një hapësirë e paketimit të produkteve e cila nuk ka qenë vite më parë dhe në dy vitet e fundit është bërë një sipërfaqe ku është rritur infrastruktura e paketimit të produkteve. Ne ngaqë rrisim eksportet si dhe zgjerojmë hartën e vendeve ku eksportojmë kemi rritur standardet dhe kemi arritur sukses dhe bashkë me sukseset dhe shitjet janë më të mëdha”, tha Fatosi gjatë bashkëbisedimit me drejtoreshën e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca.

“Fatosi e ka nisur si një bujk, si një prodhues i perimeve që në vitet 1993 dhe tashmë është kthyer në një sipërmarrës shitës ndërkohë që ka dhe 7 hektarë të tij me të cilat prodhon. Aktualisht Fatosi është në një marrëdhënie kontraktuale për ndërtimin e një serre moderne të re prej 1 hektarësh”, tha Krifca.

“Duke synuar tregjet europiane synojmë çmime më të larta dhe standarde më të larta dhe në këtë pikë kemi punuar shumë. Dhe një nga pikat kyçet ku eksportojmë është Austria”, u shpreh Fatosi.

“Këtu janë 1500 fermerë të regjistruar me nipt fermeri dhe nuk janë vetëm fermerë nga zona jonë por pothuajse nga e gjithë Shqipëria. Duke patur akses në shitje ne po shesim të gjitha produktet që prodhohen në Shqipëri. Sivjet kemi thyer rekord në shitjen e shalqirit, mund të kemi shitur mbi 4 mijë tonë shalqi. Ne si kompani pavarësisht pandemisë kemi gati 40-50% rritje të eksporteve nga një vit më parë. Në kompani janë rreth 45-50 punëtorë që janë të siguruar. Domatet -qershi të prodhuara nga kompania jonë janë të certifikuara dhe shiten gjerësisht në marketet e Austrisë”, përfundoi Fatosi.

Fatosi është financuar nga AZHBR për serra me ngrohje qendrore, ujitjen me pika dhe pikë grumbullimi të fidanëve, ndërsa sot po ndërton me mbështetjen tonë falë programit IPARD, një serrë të re moderne për kultivimin e fruta-perimeve.