Shtegu i Ngjyrave pjesë e parkut natyror Korab-Koritinik është destinacioni më i ri për të apasionuarit pas natyrës dhe ngjitjeve në mal.Peizazhi mahnitës që ofron natyra në këtë park, me pemët e larta dhe lulet shumëngjyrëshe, ka tërhequr mijëra turistë.
Drejtori i Adiministratës së Zonave të Mbrojtura të qarkut të Kukësit, Besnik Hallaçi, tha sot për ATSH-në se “që prej daljes nga izolimi këtë park e kanë vizituar 3000 turistë vendas e të huaj”.Sipas tij, shumica e vizitorëve vendas, por të shumtë kanë qenë edhe turistët nga Kosova.“Vetëm fundjavën që kaloi në këtë shteg ishin 1000 vizitorë të apasionuar pas ngjitjeve në mal. Pamja që e rrethon është magjike dhe për rreth 7 orë ecje ky shteg do t’ju lëri me gojë hapur.”, – tha Hallaçi.
Ndërsa Ermal Hallaçi, guidë turistike e qytetit të Kukësit shprehet se “gjatë verës ku park ishte shumë i frekuentuar, ndërsa në shtator me rënien edhe të temperaturave do të kemi një rritje të numrit të tyre”.“Gjatë udhëtimit për në shtegun e ngjyrave të apsionuarit pas ngjitjeve në mal kanë mundësi të vizitojnë dhe monumete të tjera të natyrës, si “Gryka e Vanave”, Ujëvara e Beles, liqeni i Kallabakut, ku shijojnë panoramën e mrekullueshme të këtij liqeni”, – shprehet ai.Sipas tij, tek shtegu i ngjyrave të mahnit pamja që të ofron lëndina me lule nga më të ndryshmet.
Shtegu i Ngjyrave kalon nga bjeshkët e Çajës të Kukësit dhe vazhdon deri në Fushën e Korabit. Afër këtij shtegu ndodhet edhe trekëndëshi ndërkufitar Kosovë-Shqipëri-Maqedoni e Veriut.
Parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri, ka një bukuri të rrallë. Përveç tij ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës.
Burimet e ftohta të ujit, liqenet natyrore, majat e maleve mbuluar me borë, ofrojnë mundësi të mëdha për të shijuar çdo detaj të turizmit malor, dimër dhe verë.