Nga Alfred Peza/

Opozita shqiptare ka pësuar një metamorfozë të çuditshme në më pak se 18 muajt e fundit: Nga institucionet politike dhe demokratike të vendit, doli në rrugë. E pasi dështoi në strategjinë e saj të “rrugës së rrugës”, tani është rikthyer sërisht. Por, këtë radhë në pamundësi për të qenë brenda Parlamentit dhe pushtetit lokale, ka gjetur një strehë të re. E cila është rrjeti i gjerë global. Hapësira virtuale. Rrjetet sociale. Mediat e reja online. E gjithçka tjetër që ka lidhje vetëm me virtualitetin. Por, aspak me realitetin politik të vendit.

Si duhet kuptuar kjo?

Besoj se e keni ndjekur të gjithë këto ditë, një premtim bombastik të Lulzim Bashës për 30 korrikut, kur lançoi me bujë ngritjen e komisionit në PD për verifikimin e kandidaturave për deputetë në zgjedhjet e ardhshme. Madje siç i ka hije një lideri të madh si ai, shkoi edhe i takoi anëtarët e komisionit, duke dhënë përveç të tjerash edhe mesazhin se:

“Me modelin më të mirë të përzgjedhjes së kandidaturave, më programin shpresdhënës dhe angazhimin tonë të plotë dhe serioz, motorrët e ndezur të fushatës sonë po çojnë përpara çdo ditë e më shumë, procesin e pashmangshëm të rrotacionit politik!”

Bukur. Shumë bukur madje që ta dëgjosh. Ta lexosh. Ta shohësh teksa i qershur e optimist, lideri i opozitës jep lajmin e madh për gjithë opozitarët e Shqipërisë se motorrët e fushatës elektorale jo vetëm qenkan ndezur, por se ato po bëkan namin vetëm e vetëm që ata të rikthehen në pushtet.

Por, nëse sheh postimet e këtij muaji, e kësaj jave dhe të sotmet në facebook-un zyrtar të Lulzim Bashës, do të kuptosh se fjalët e tij nuk kanë asgjë të përbashkët me veprat. Përveçse një postimi të këtu e tri ditëve më parë në Manëz, tek shtëpia e një banori të dëmtuar nga tërmeti, që ia tha në sy se është me vonesë, me shumë vonesë madje duke i qëndruar larg halleve të popullit, nuk ka asnjë aktivitet tjetër. Ndërsa postimi përpara kësaj, është i një jave më parë për turizmin, nga ato që Jozefina Topalli do ti quante: “Mka çu nana me la gojën!”

Tregues ky se:

E para, Lulzim Basha thjeshtë se kërkon që ti mbajë me të mirë mbështetësit dhe përkrahësit e vet, kur u thotë se motorrët e fushatës elektorale nga ana e PD dhe opozitës së rrugës janë ndezur.

E dyta, lideri i tyre nuk është fare i sinqertë me ta kur u premtoi pas 30 korrikut se i gjithë gushti do të jetë një periudhë e mbushur me punë në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

E treta, komunikimet publike dhe postimet në rrjetet sociale të këtyre dy javëve të para të këtij muaji, të një a dy muajve më parë…, tregojnë atë tendencë që ishte vënë re edhe më parë, se Lulzim Basha i ka humbur përfundimisht lidhjet me bazën. Me qytetarët. Me strukturat drejtuese të PD dhe aleatët e saj.

E katërta, kjo tregon se opozita është shndërruar tashmë përfundimisht në një lëvizje politike virtuale, e cila është e pangjashme me asgjë parti, grupim politik apo aleancë.

Është fare e thjeshtë për ta verifikuar vërtetësinë e këtij zhvillimi të ri, mjafton që të shohësh sesi edhe gjithë drejtuesit e tjerë politikë të opozitës kanë shumë kohë që nuk zbresin në terren. Nuk mbledhin forumet. Nuk takohen me anëtarësinë. Me qytetarët… Ndaj i sheh gjithë ditën e ditës në një garë të çuditshme me njëri- tjetrin brenda llojit, se kush është më virtual se tjetri. Se kush e kush bën më shumë postime në rrjetet sociale, nëpër mediat opozitare online apo flet nga skype për mediat televizionet lokale a kombëtare!

Prova më e madhe për këtë, është fakti se PD e ka braktisur prej më shumë se 13 muajsh, armën e vet më të fortë të luftës së saj opozitare: Protestën! Bashkë me braktisjen e protestës, si formën kryesore të reagimit opozitar, PD tregon se ka ndryshuar tërësisht strategji. Pasi braktisi Parlamentin dhe pushtetin lokal, udhëhoqi opozitën shqiptare, në rrugë. Ndërsa tani, ka braktisur rrugën e rrugës dhe është futur në rrjetet sociale.

Pasi dështoi me 30 qershorin, brenda një viti Lulzim Basha ia doli me sukses, që ta shndërrojë opozitën shqiptare, nga reale, në virtuale!