Në zbatim të planit operacional, në të gjithë vendin, shërbimet e Policisë Rrugore të monitoruara nga Drejtoria e Policisë Rrugore kanë ushtruar kontrolle të befasishme për identifikimin e shkeljeve si parakalime të gabuara, përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit apo mospërdorim të rripit të sigurimit, shkelje këto që kanë vështirësi për t’u konstatuar nga shërbimet fikse në pikat e kontrollit.
“Si rezultat i kontrolleve, në të gjithë vendin, gjatë ditës së sotme janë ndëshkuar 561 drejtues mjetesh për parakalime të gabuara dhe manovra të rrezikshme në rrugë, 479 drejtues mjetesh për përdorim të celularit, 235 drejtues mjetesh për mosvendosje të rripit të sigurimit, 128 drejtues motomjetesh për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, 24 drejtues mjetesh për shpejtësi tej normave të lejuara, 13 drejtues mjetesh për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 11 drejtues mjetesh për shkelje të semaforit, 12 drejtues mjetesh për mosdhënie përparësie këmbësorëve në vija të bardha, si dhe 8 drejtues mjetesh që qarkullonin pa kryer kontrollin teknik të mjetit”, informon Policia e Shtetit.
“Plani operacional do vijojë gjatë gjithë fundjavës dhe në këtë kuadër Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos bëjnë parakalime të gabuara, të mos dalin nga kolona kur ka fluks dhe të mos qarkullojnë në sens të kundërt, të mos qarkullojnë me shpejtësi apo nën efektin e alkoolit, të përdorin rripin e sigurimit, kaskën mbrojtëse dhe të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit”, bën të ditur Policia e Shtetit.
“Në çdo aks rrugor kombëtar dhe në të gjitha rrugët urbane dhe interurbane do ketë shërbime në formën e patrullimit parandalues, duke përdorur të gjitha pajisjet speciale për konstatimin dhe dokumentimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, si kamera, dronë, radarë dhe dragera për matjen e nivelit të alkoolit, pajisje të cilat do të përdoren nga shërbimet me uniformë dhe punonjësit civilë, me qëllim jo për të rritur sasinë e gjobave, por për të disiplinuar mënyrën e përdorimit të rrugës nga drejtuesit e mjeteve dhe për të parandaluar aksidentet rrugore, të cilat cenojnë shëndetin dhe jetën e të gjithëve”, informon Policia e Shtetit.