Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë me një postim në rrjetet sociale ka thirrur përsëri vëmendjen ndaj problemeve që kanë shoqëruar futbollin në vendin tonë e që janë bërë më të dukshme në këtë sezon të rënduar nga tërmeti e pandemia. Në postimin e saj, ajo thekson se vazhdojnë të ekzistojnë të njëjtat sëmundje kronike, e duhet që FSHF të bashkëpunojë me sindikatën që të ndryshojë këtë situatë.
Si për çudi, bie në sy se mes urimeve për skuadrat që fituan ngjitjen mes profesionistëve nga Kategoria e Dytë, Sindikata ka harruar klubin e Tomorit, duke renditur vetëm Vorën mes skuadrave që janë ngjitur në të Parën.
POSTIMI
“Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë uron të gjithë anëtarët e saj futbollistë për përfundimin me sukses të edicionit futbollistik 2019-2020.
Një sezon futbollistik i çuditshëm ku fillimisht lojën tonë të dashur e ndaloi tërmeti i 26 nëntorit dhe më pas pandemia na bëri që të përjetojmë një futboll të ndryshëm nga ai me të cilin jemi rritur ku na u shtuan maskat dhe kontrollet dhe na u hoqën tifozët.
Tifozët që janë mushkëria e cila na jep frymë për të rezistuar deri në fund, që janë adrenalina e cila na bën të luftojmë për çdo top, që janë zemra jonë, që na bën të derdhim lot kur nuk na kanë lënë asnjëherë vetëm, edhe kur rezultatet tona nuk plotësojnë ëndrrat e tyre.
Sot urojmë për rezultatet e tyre sportive futbollistët e K.F. Tirana, kampiones tonë të re, futbollistët e Teutës fituese e Kupës, futbollistët e K.F. Apolonia, K.F. Kastrioti dhe K.F. Vora të cilët me djersë e sakrifica arritën që skuadrat e tyre t’i ngjisin një kategori më lart.
Gjithashtu sot u japim kurajo sportive futbollistëve të dy klubeve me traditë K.F. Luftëtari e K.F. Flamurtari.
Rënia në Kategorinë e Parë ka shkaktuar zhgënjimin tuaj, të drejtuesve të skuadrës si dhe të tifozëve.
Por do të jeni përsëri ju që me punën tuaj do të bëni që qëndrimi në Kategorinë e Parë të jetë një ndalesë e shkurtër përpara rikthimit aty ku e keni vendin në Kategorinë Superiore.
Por fatkeqesisht edhe këtij edicioni futbollistik nuk i munguan problemet e shumta, të cilat duke qënë prezentë në çdo edicion futbollistik janë bërë si sëmundje kronike të cilat nuk po i gjendet zgjidhje.
Situata e pandemisë i nxori më në pah këto probleme.
Mosrespektimi i detyrimeve kontraktuale për pagesat e futbollistëve, mospagimi i detyrimeve shoqërore dhe shëndetësore të futbollistëve etj. apo dhuna, dyshimet për paracaktim rezultatesh, protagonizmat arbitrale në favor të skuadrave të caktuara etj., përsëri ishin prezente.
Për të minimizuar këto probleme, për të patur një futboll më spektakolar për tifozët, me atraktiv për sponsorët dhe bizneset, më fitimprurës për klubet e futbollit dhe sigurisht një vitrinë më të mirë për futbollistët tanë, Sindikata i shtrin përsëri dorën e bashkëpunimit FSHF.
Diskutimi dhe miratimi i kontratës kolektive për të cilën kemi rënë dakord është një veprim në drejtimin e duhur për të përmirësuar klimën e futbollit në Shqipëri.