Situata me koronavirus në vend po shkon drejt një përmirësimi të lehtë, dhe në bazë të gjendjes epidemiologjike viti i ri shkollor mund të fillojë në shkolla që nga shatori nga klasa e parë deri në të pestën. Kështu ka deklaruar drejtori i Institut Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHPK), Naser Ramadani i cili ka raportuar në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. Ai tha se viti i ri shkollor 2020/21 ka tri versione që mund të hapen shkollat për nxënësit, por sipas tij problematike do jetë zbatimi i rekomandimeve të dhëna nga IKSHP. Ramadani: Mund të hapen shkollat për klasën e parë deri në të pestën.
“Senario më real në bazë aktuale të situatës epidemiologjike është se mundet eventualisht të shqyrtohet mundësia dhe të rekomandohet hapja e parashkollorëve dhe çerdheve të cilat tashmë i kemi lënë në duart e komunave dhe komunat po hezitojnë ta shohin pak vetë se është shumë vështirë me marr vendime dhe shumë vështirë është me vlerësua gjendjen dhe të shihet mundësia e hapjes të klasave të para deri në klasën e katërt eventualisht të pestën si hapje fizike pjesëmarrjes në shkolla. Është bërë një protokol për zbatimin e këtyre masave të rekomanduara që nënkuptojnë bazamentin e mbajtjes së distancës, maskave dhe higjienës personale…Problemet kryesore të hapjes ose jo të shkollave kanë me qenë sa janë shkollat e gatshme me i mbikëqyrë këto rekomandime me i zbatu këto rekomandime që mos me ardhur deri tek shpërthimet epidemike në shkolla të veçanta”, tha ai.
Sipas tij burimi i infeksionit është tek qytetarët që nuk po i respektojnë masat dhe se rreth 70 për qind e burimeve janë familjare. Ramadani tha se ka një rënie të lehtë të infektuarëve por kjo nuk nënkupton se duhet nga qytetarët të neglizhohen masat e dhëna. Ramadani: Situatë po shkon kah përmirësimi.
“Mendojmë që situata po shkon kah përmirësimi, është një sinjal i lehtë I rënies..është i lehtë por jo për vetëkënaqësi për neve si Institut është I lehtë të vazhdojmë por jo qytetarët që të lëshojnë masat sepse virusi është këtu”, theksoi Ramadani.