Prefekti i qarkut Gjirokastër, Astrit Aliaj konfirmoi sot për ATSH-në se “puna në pikën kufitare të Kakavisë vazhdon me kapacitete të shtuara”, ndërsa u bëri thirrje qytetareve që ndodhen në fund të autokolonës të kthehen në shtëpi sepse po mbaron afati qe pala greke ka vendosur. Në një prononcim për ATSH-në, Aliaj tha se “këta qytetarë duhet të kthehen dhe të përgatiten për zbatimin e protokollit që ka vendosur pala greke, që pas datës 17 gusht, duhet të paraqiten me testin negativ të COVID-19”.
Aliaj tha se “po vijon të ndjekë edhe ditën e sotme situatën e krijuar në pikën e kalimit kufitar Kakavijë, duke koordinuar veprimtarinë e institucioneve shtetërore, që janë pjesë e shtabit të emergjencave civile, si dhe ka bashkëpunuar me bizneset që operojnë në bashkinë Dropull dhe jo vetëm për furnizimin me ujë dhe ushqime, të qytetarëve që janë në pritje për të kaluar në shtetin grek.
Aliaj tha se “gjatë ditës së sotme, përgjatë rrugës nacionale Jorgucat-Kakavijë, në zonën ku janë rreshtuar autoveturat e shtetasve shqiptarë që presin të kalojnë kufirin drejt Greqisë, Detashmeni i Mbështetjes Rajonale ka shpërndarë në bashkëpunim me të rinj nga qyteti i Delvinës dhe Sarandës ndihma të dhuruara nga disa biznese të këtyre bashkive”.
Gjithashtu, në ndihmë të qytetarëve ka patur sensibilizim nga bizneset e qarkut Gjirokastër si kompanitë “Lajthiza”, “Elka”, “Glina”, “Agna Group”, “Gjirofarma”, “Fresh”, “Living Water”, “Ferruni co”, etj.
Prefekti Aliaj ndoqi nga afër operacionin humanitar të shpërndarjes së ndihmave për qytetarët që presin të kalojnë kufirin për në shtetin fqinj Greqi.
Ai vlerësoi punën e palodhur gjatë këtyre ditëve të fundit të punonjësve të shërbimit mjekësor, forcave të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit, forcat zjarrëfikëse të bashkisë Dropull dhe Gjirokastër si dhe në veçanti Forcat e Armatosura.