Diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë po shihet me interes nga sipërmarrja private vendase dhe e huaj, që po rrit investimet në parqet fotovoltaike duke mundësuar jo vetëm prodhimin e energjisë, por edhe nxitje të zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjen e mjedisit.

Sipas statistikave zyrtare, prodhimi i energjisë nga parqet fotovoltaike, po vjen në rritje të qëndrueshme. Në total, këto impiante prodhuan 15,882 mwh energji në 6-mujorin e parë të vitit 2020, shifër kjo 0.9% më e lartë se vitin e kaluar.

Sipas ekspertëve, ndonëse sasia e gjeneruar nga këto parqe është më e vogël në raport me energjinë e prodhuar nga burimet hidrike, përsëri rritja e prodhimit gradual të energjisë nga fotovoltaikët synon të rritet më tej me vënien në zbatim të 2 projekteve të reja për ndërtimin e parqeve fotovoltaike në Karavasta dhe Akërni të Vlorës që pritet të nisin së shpejti.