Task- Forca anti-COVID ka vijuar punën në terren me masa të shtuara edhe në fundjavë, për kontrollin dhe monitorimin e zbatimit të protokolleve të sigurisë për frenimin e përhapjes së infeksionit COVID-19.
Gjatë kësaj fundjave Inspektorati Shtetëror Shëndetësor në bashkëpunim me grupet e tjera të Task Forcës: Inspektoratin e Punës, AKU, Policinë e Shtetit, realizuan mbi 1300 inspektime dhe monitorime në të gjitha qarqet e vendit, janë vendosur 3 masa administrative me gjobë dhe pezullim aktiviteti, në subjekte të cilat janë gjetur në shkelje, duke mos zbatuar protokollet e miratuara: 1 masë administrative me gjobë në restorant dhe 2 vendime për pezullim të aktivitetit në institucione publike.
Në total gjatë kësaj periudhe (të epidemisë) janë kryer mbi 133 mijë inspektime dhe monitorime dhe janë vendosur 522 masa administrative me gjobë dhe pezullime aktiviteti për subjekte të gjetura në shkelje të protokolleve dhe rregullave për parandalimin e SARS COV2. Që prej vendosjes së maskës me detyrim në ambientet e mbyllura, 35 individë janë gjobitur për mosmbajtje të maskës në ambiente publike të mbyllura.
Ministria e Shëndetësië u kërkon bizneseve të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë dhe vendimin i cili ndalon hapjen e klubeve të natës, diskove, etj, si dhe ndalimin e muzikës për të gjitha aktivitetet pas orës 20:00.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel qytetarëve të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin social, masat e higjenës dhe vendimin për maskën e detyrueshme në ambientet e mbyllura.
Ministria e Shëndetësisë fton bizneset dhe njesitë akomoduese të respektojnë protokollet e sigurisë: Distancën fizike, maskën e detyrueshme në shërbim dhe të kryejnë dezinfektimin dhe higjienizimin e vazhdueshëm të ambienteve.
Çdo shkelje do të konsiderohet me rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe si e tillë do të ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi.