Turistët e huaj dhe pushuesit vendas gjatë këtij sezoni veror përveç bregdetit kanë zgjedhur të vizitojnë dhe parqet kombëtare dhe shtigje të shumta që ofron Shqipëria. Gjatë këtyre ditëve të nxehta gushti një grup turistësh nga Polonia kanë zgjedhur si destinacionin e tyre turistik peizazhin e mbrojtur të Malit me Gropa, Bizë-Martanesh. Ata kanë shijuar shtigjet e shumta duke bërë hiking si dhe freskinë dhe bukurin e peizazhit natyror që ofron ky vend.
Peizazhi i mbrojtur Bizë-Martanesh
Peizazhi i mbrojtur i Malit me Gropa, Bizë-Martanesh, ka sipërfaqe të gjerë ku përfshihen rreth 183 km2 pyje, ripyllëzime, pyje të rrallë ose tokë me bimësi pyjore dhe pemëtore, kullota, livadhe me bimësi kullotore. Mundësia për të vizituar këtë zonë është e mundshme nëpërmjet rrugëve automobilistike që e lidhin me Tiranën duke zbritur nga Qafa e Murrizës, Guri i Bardhë dhe Kroi i Ftohtë. Ndërsa për këmbësorët kalohet nga Qafa e Drerit, livadhet e Kolgrekut, vijon drejt Qafës së Prevallit, tek Ujëvara e Zallit të Vardarit, fushat e Palemit, Rrahi i Hasramës, Maja e Sadokut, shpati i Skorës, ndjek Rrugën e Rinisë, deri tek Guri i Muzhaqit. Kjo zonë ka shumë shtigje e gryka interesante që emërtohen sipas ngjarjeve dhe bëmave. Agjenci të ndryshme turistike organizojnë guida të shumta në këto anë për bukuritë natyrore, historinë, kulturën e zonës si dhe ushqimin karakteristik të krahinës.
Zona e Bizës ka një terren tepër të thyer dhe në dimër zotërohet nga reshjet e borës. Kjo e bën tepër të veçantë dhe tërheqëse për këtë periudhë, ndërsa në stinën e verës kthehet në një mrekulli natyrore për gjelbërimin e saj të veçantë si dhe për monumentet e natyrës.