Nisi në muajin mars, me mbylljen e kufijve ajrorë, tokësorë dhe detarë, nga Bashkimi Evropian pasi COVID-19 filloi shtrirjen dhe atje.

Mjaftuan pak ditë që edhe Shqipëria të bëhej pjesë e kësaj vorbulle që ende nuk i dihet fundi ndërkohë që enigma vazhdon, nga erdhi virusi? Kush e shkaktoi? Kur do zhduket? A ka vaksinë kundër tij? E një sërë pikëpyetjesh të tjera që nisën si sfida shëndetësore dhe u përkthyen në kriza ekonomike në çdo sektor.Në vend humbjet financiare filluan më 10 mars, ku qeveria vendosi mbylljen e bareve dhe restoranteve, e pasuar nga izolimi total, mbyllja e kufijve. Pandemia COVID-19 gjunjëzoi turizmin vendas. Goditja e marrë në prag të sezonit, anulimi i rezervimeve për pushime, biznes apo edhe arsye të tjera, mbylli edhe një sërë biznese që ligjërisht ishin të hapura të vijonin aktivitetin, si agjencitë turistike, guidat apo hotelet.

Kjo situatë e paparashikuar, lidhi duart e institucioneve, turoperatorëve, e kyçi me qindra biznese, ku disa prej tyre fatkeqësisht ende nuk e kanë ngritur kokën.

“Vërtet qeveria i konsideroi agjencitë turistike apo guidat si aktivitete të lejuara por për aq kohë sa kemi pasur transport të mbyllur, dhe hotelet çfarë mund të ofronim ne si agjenci”, pohon Ferjolt Ozuni.

Arka e shtetit, është e varur ndjeshëm nga turizmi dhe lidhjet me shtete të Bashkimit Evropian të cilët u goditën shumë nga situata, siç është Italia. Sipas Ministrisë së Turizmit rreth 27.4% e PBB-së së vendit mbushet nga ky sektor, i cili ndër vite ka pësuar zhvillim.

Vetëm në vitin 2019, të ardhurat nga turizmi arritën në 1.8 miliardë euro, duke pasur impulsin më të madh në rritjen ekonomike. Por çfarë pritet të ndodh këtë vit, i konsideruar si turizmi i mbijetesës?

“Ne diskutonim që mund të jenë humbjet 1.5 miliardë euro deri në qershor por duke parë edhe një korrik zero ajo humbje është më e madhe, unë besoj që të ardhurat nga turizmi nuk do të kalojnë 500 milionë euro në skenarin optimist të vjeshtës”, shprehet Vathi.

Sipas statistikave në vitin e kaluar në vend kanë hyrë rreth 6.4 milionë shtetas të huaj. Sa u përket të dhënave pikëpyetjet janë të mëdha, për shkak se ndarja se sa persona erdhën për turizëm dhe sa për arsye të tjera nuk është konkrete.

Problemi tjetër është numërimi i shtetasve që hyjnë në tokën shqiptare. Në të dhëna janë 6.4 milionë shtetas, por e vërteta mund të mos jetë e tillë, pasi 1 person mund të ketë hyrë disa herë në Shqipëri dhe ai për çdo herë numërohet si turist i shtuar.

Lënë pas këto paqartësi. Përballja është tashmë me realitetin e ri, atë të pas COVID-19, viti i mbijetesës së turizmit. Ekspertët e shohin me pesimizëm të ardhmen edhe në skenarin më optimist të mundshëm.

“Të gjitha aktivitetet e tjera ndoshta u hapën dhe kanë rifilluar, por turizmi është ende në koma. Edhe në situatën më optimiste të jemi nga gushti shtatori përsëri nuk e kalojmë 30% të aktivitetit në raport me vitin e kaluar”, deklaron ai.

Plaga që i është thelluar këtij sektori, vështirë se do të gjej kurë këtë vit, siç po ndodh edhe me vetë shkaktarin SarCov 2 për të cilin ende nuk kemi një vaksinë. Ndikimi është kudo njësoj, që nga jugu gjer në veri. Mungesa e vizitorëve në krahasim me vitin e kaluar duket në çdo destinacion të vendit.

E ndikuar edhe nga sezoni veror, duket se ato që do e përjetojnë më shumë këtë gjendje janë qendrat historike dhe ato të kulturës. Kalaja historike e Petrelës, jo më shumë se 18 km larg Tiranës me një model mesjetar shqiptar, e lartësi deri në 400 metër, pret e heshtur të vizitohet nga shqiptar dhe të huaj.

“Antikiteti dhe lashtësia e kalave në Shqipëri shpesh ngjall më shumë interes tek turistët e huaj sesa kaltërsia e detit. Të shumtë janë ata turistë që zgjedhin Kalanë e Petrelës për të ardhur për të mësuar më shumë mbi historikun që ajo të ofron. Por Covid-19, duket se edhe këtë destinacion e ka penalizuar ashtu si edhe pikat e tjera turistike të vendit tonë. Pavarësisht kësaj persona që rrinë gjatë gjithë kohës në Kala shprehen se muaji korrik ka qenë disi shpresë për ata pasi është rritur numri i atyre që kanë ardhur për ta vizituar, për të kaluar një pasdite por pse jo edhe fundjavën”.

Gëzim Shaba, i cili shoqëron turistët që vizitojnë kalanë shekullore, thotë se pandemia i ka paralizuar, pavarësisht se situata po përmirësohet temperaturat e larta reduktojnë përsëri numrin.

A ka më shpresë për turizmin? Është pyetja që po i mundon të gjithë. Edhe mes vështirësive mund të mbijetojmë thotë Ministri i Turizmit Blendi Klosi.

 “Është realisht një vit jashtëzakonisht i vështirë por ne shpresojmë që ky biznes dhe turistët me chartera të vazhdojë siç ka nisur nga Bjellorusia, Ukraina dhe Polonia dhe me shpresë që të kemi edhe chartera nga vendet e tjera Skandinave pasi kjo do të krijojë një bazë të mirë për sezonin e mbijetesës 2020. Është një sezon i vështirë por edhe Brenda vështirësisë do të kemi turizëm në bregdetin shqiptar”,deklaroi Ministri i Turizmit Blendi Klosi.

Ndërsa për bizneset e këtij sektori duhet të kemi një paketë mbëshetëse për të mbijetuar. “Së pari sektori i turizmit ka nevojë të dëgjohet. Së dyti ka nevojë ti jepet një përgjigje ekzakte, i duhemi apo jo ekonomisë së vendit. Nëse i duhemi duhet të dëgjohet dhe të përgatitet një plan i madh masash. Insentivat I kemi deklaruar dhe kërkuar në dy forma. E  para kemi kërkuar bonus për pushime për qytetarët shqiptar dhe të shfrytëzohet edhe jashtë sezonit veror. E dyta mund të jepen për turoperatorët e huaj që duan të mbajnë rezervimet e tyre”, pohon Besnik Vathi.

Operatorët e vijës bregdetare e kanë ngritur shqetësimin e mungesës së turistëve që në fillim të muajit qershor kur u lejua hapja e plazheve.

Bizneset e turizmit tashmë duhet të përballen edhe me kosto të shtuara pasi duhet të zbatojnë protokollin shëndetësor. Ulja e të ardhurave në arkën e shtetit nuk është sinjal vetëm për krizën ekonomike por është tregues i varfërimit të xhepit të qytetarit. Në 5 muaj të vitit 2020 në vend hyrjet e shtetasve të huaj kanë rënë me -60%, pasi të gjitha rrugët tokësore nga vijnë edhe më shumë turistë, si dhe ato ajrore dhe detare u mbyllën.

Ekonomia jonë pritet të hyjë në recesion deri në 6% sipas të dhënave të Ministrisë së Financave. Ndërsa sipas të gjithë raporteve ndërkombëtare goditja më e madhe do ti vijë nga turizmi për shkak të varësisë që ka ndaj tij.