Qendërmbrojtësi i Napolit, Kostas Manolas, beson se skuadra napolitane do të mundë ta ndalë yllin dhe kapitenin e Barcelonës, Lionel Messin, nëse mbrohet si ekip të shtunën në Ligën e Kampionëve. Napoli udhëton drejt Barcelonës për t’u përballur të shtunën me gjigantin katalonas në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales në Camp Nou, pasi ndeshja e parë në Sao Paolo u përfundoi baras 1:1, transmeton Gazeta Express.
Mbrojtësi grek shënoi gol dhe ishte heroi i Romës kur kjo e fundit e eliminoi në mënyrë të famshme Barcelonën nga kjo garë në sezonin 2017/18. Ai ka zbuluar se Francesco Totti e ka nxitur atë për ta bërë të njëjtën gjë përsëri të shtunën. “U takova me Tottin dhe më tha: ‘Kostas guximtari, provo përsëri’”, tha Manolas për La Repubblica. Manolas beson se është e mundur që të ndalet superylli argjentinas këtë fundjavë. “Messin e ndal si ekip, pa u frikësuar nga talenti i tij. Sipas mendimit tim, ai është më i miri në botë”, tha 29-vjeçari. “Për cilësitë dhe mençurinë në futboll, ai është më i miri”, shtoi ai.