Pas rinovimit të marrëveshjes për qeverisje, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti në Maqedoninë e Veriut do zyrtarizojnë sot partnerinetin me organet e partive. Mediet raportojnë se pushteti ministror favorizon partinë shqiptare. Partia Lidhja Socialdemokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim arritën të martën paktin për qeverisjen së bashku të Maqedonisë së Veriut. Marrëveshja u bë e ditur nga liderët e dy partive, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti, dhe pritet të konfirmohet sot nga organet partiake. BDI-ja ka paralajmëruar një mbledhje të përgjithshme në orën 18 ndërsa seanca në selinë e LSDM-së, pritet dy orë më pas. Ish-kryeministri Zaev deklaroi se ai do të jetë në krye të qeverisë me mandat të plotë katërvjeçar, duke mohuar zërat për rotacion me BDI-në, por kjo e fundit arriti të fitojë të drejtën që për herë të parë një shqiptar të udhëheqë kabinetin në 100 ditët e fundit të mandatit. Për sa i përket dikastereve ministrore, dy aleatët nuk e kanë publikuar ende zyrtarisht ndarjen e posteve, por në mediet lokale kanë nisur të qarkullojnë emrat e parë.

BDI-ja do të ketë Artan Grubin si zëvendëskryeministër të parë dhe ministër për Sistem Politik; diplomacia do i besohet Bujar Osmanit; Fatmir Besimi do marrë Ministrinë e Financave; Kreshnik Bekteshi, Ekonominë; dhe partisë shqiptare do i takojnë edhe Ministritë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe ajo e Shoqërisë Informatike. Nga radhët e LSDM-së, përveç kryeministrit Zaev, partia më e madhe në vend do drejtojë dikasterin e Punëve të Brendshme me në krye shefin në detyrë të qeverisë, Oliver Spasovskin; do mbajë Ministritë e Mbrojtjes, të Drejtësisë, të Arsimit, të Punës dhe Politikës Sociale. Lëvizja BESA e Bilal Kasamit si pjesë e koalicionit do të ketë një post ministror, dy poste zëvendësministrash si edhe një drejtimin e disa drejtorive dhe agjencive shtetërore. Jozyrtarisht mësohet se sekretari i përgjithshëm i partisë, Arjanit Hoxha, do të jetë ministër i ardhshëm i Bujqësisë. Partneritetit për qeverisje do i bashkohet edhe Menduh Thaçi i Partisë Demokratike, që me mandatin e vet e çon në 62 numrin e deputetëve të shumicës nga 120 në total. Kabineti i ri ende nuk ka marrë konfirmimin dhe njëherazi me programin politik do i nënshtrohet votëbesimit në parlament brenda ditës së premte. Talat Xhaferi, ndërkaq, do vazhdojë të kryesojë Kuvendin edhe për një mandat tjetër. Kandidati për kryeministër, Zaev, ka deklaruar se lufta kundër koronavirusit do të jetë prioritet i punës së qeverisë, sikurse edhe standardi ekonomik, rritja e pagave, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe forcimi i sistemit të drejtësisë përgjatë katër viteve të ardhshme.