Në këtë pjesë të fundit të rrëfimit të Izet Haxhisë në DITA për grushtin e shtetit, ish-truproja e Berishës dëshmon çfarë ndodhi pas 14 shtatorit 1998.Ka patur situatë të tensionuar dhe shpërthyese brenda selisë së PD-së.Por aty duket se ka zënë fill edhe një plan tjetër, po aq i egër dhe i dhunshëm se përdorja e kufomës dhe armëve në 14 shtator.Për herë të parë Izet Haxhia tregon se ka pasur edhe një “plan B” për të vrarë Shaban Meminë në rast se do të arrestohej Berisha.
Vijon nga KËTU
– Sidoqoftë, ju shkuat në PD pas bisedës telefonike me ambasadorin e OSBE-së?
– Prisja me padurim të shkoja tek selia e PD-së e të shifja fytyrat e Berishës dhe langove të tij. Mora tanket dhe armët dhe u nisa tek PD. Kur hyra brenda në zyrën e Berishës, pashë që ishin të mbledhur në zyrën e tij rreth 30 deputetë të PD-së. I kam sharë me të parë e të mbrame dhe për një moment kam dashur që të qëlloj mbi ta.Ka qenë ndërhyrja e Pjetër Arbnorit, për të cilin kam patur respekt që më qetësoi pak. Jam larguar nga ato fytyra të zbehta e të neveritura të PD-istëve dhe u kam thënë shokëve të mi që nuk do të lejoni asnjë deputet të largohet nga selia e PD-së.
– Sa zgjati ky ndalim?
– Ky ndalim ka vazhduar për rreth 48 orë, vetëm më datën 16 është bërë dalja e tyre nga PD në mitingun që u bë tek sheshi. Gjatë kësaj kohe brenda PD-së filluan të qarkullonin llafe sikur në orët e para të mëngjesit do të kryhet sulmi nga forcat qeveritare ndaj selisë së PD me të gjitha llojet e armëve.Isha futur në një dhomë tek kati i parë i PD-së dhe po pushoja, kur më vjen me nxitim një shoku im e më thotë se një pjesë e madhe e njerëzve tanë të armatosur kishin hedhur armët diku aty nga parkingu i PD-së prapa murit. Çohem e ngjitem lart kur ç’të shof? Berisha duke shfrytëzuar mungesën time, kishte mbledhur njerëzit rreth meje dhe duke u munduar t’i trembi me sulmin qeveritar, kishte arritur t’u mbushte mendjen që të hidhnin armët.
Sapo më ka parë, ka filluar të belbëzojë e të dredhë fjalën. Çfarë po bëhet, – pyes. Hidhet njeri nga ata që kishte në krah e sot është kryetar i një shoqate që ka emrin e dhjetorit, dhe thotë po mendojmë që të thërrasim gratë tona që edhe ato të bëhen mburoja të gjalla nga sulmi qeveritar.I thashë që ti mund ta thërrasësh jo vetëm gruan, por edhe gjyshet thirrni, por kisha vetëm diçka për të thënë: Që edhe i vetëm po të ngelem, do luftoj dhe asnjë eksponent apo deputet i PD-së nuk do largohet nga PD por do vdesi këtu bashkë me mua e ata që do rrinë afër meje.
– Si u prit ky kërcënim që u bëre?
– Një pjesë e tyre që kishin hedhur armët, të turpëruar kanë shkuar e marrë prapë armët. Në këtë kohë i bjen telefoni Berishës dhe flet me të shoqen dhe i thotë që do vijë tani në shtëpi.
I kthehet një shoku im që kisha në krah dhe i thotë: As ti nuk ke për të ikur, po do rrish këtu.
– Po Berisha si reagoi?
– Berisha heshti duke tundur kokën në mënyrë pohuese. Kur e shikoja gjendjen e tij kaq të mjerë prapë më vinte keq për të dhe nuk doja ta ulja më tepër në sytë e të tjerëve, pavarësisht se ai meritonte shumë më tepër se kaq.
– Si u zgjidh ajo situatë?
– U gdhi sabahu, por forcat e Nanos e Perikliut (Teta) nuk po dukeshin gjëkundi. Të nesërmen tanket që kishim në dispozicion, njëri u vendos me grykën e zjarrit në rrugën që të çon tek Ministria e Brendshme dhe tjetri në kryqëzimin afër Ushtarit të Panjohur.
Berisha kishte thënë që mos i lëshoni këto tanke. Brenda PD-së posedonim armatim të ndryshëm që nga kallashët e deri tek antitanket e armët snajper dy copë. Njërën nga këta snajpera e vendosëm në çatinë e PD-së dhe rrinim duke bërë një luftë të heshtur nervash me snajperistët e Ministrisë së Brendshme që dalloheshin që nga selia e PD-së.
Edhe përballë PD-së në anën tjetër të rrugës dukej prania e snajperistëve të fshehur në çati që prisnin momentin të më godisnin mua, siç e mësova më vonë.Aty nga pasditja nga zyra e Berishës vjen një person e thotë që ka thënë Berisha që duhet të dorëzojmë tanket. Jam nxehur, por logjika ma thoshte që duhej të dorëzoheshin. Pasi janë bërë negociatat për mënyrën e dorëzimit, i janë dorëzuar forcave të Ministrisë së Brendshme dy tanket.
Të nesërmen u mor vesh që delegacioni i Trojkës do të vinte për inspektim në PD që a ka armë apo jo. Në atë moment në PD mund të ndodheshin më tepër se dyqind armë të ndryshme. Kemi menduar për fshehjen e tyre dhe kemi arritur që një pjesë t’i fshehim në katin e tretë të pambaruar të selisë dhe pjesën tjetër tek parkingu i PD-së.
Erdhi delegacioni dhe ne si engjëj të paarmatosur u treguam botës se nuk kemi asnjë faj, por të gjitha ato të thëna për ne janë shpifje e trillime; se ne nuk kemi pasur as përdorur armë asnjë ditë as më 14 e as më vonë.Tanket i ka prurë vetë qeveria për të na sulmuar neve. Ide këto alla Berishë.
– Çfarë ndodhi pas kësaj vizite?
– Pas ikjes së delegacionit të Trojkës evropiane qëndrimi im në selinë e PD-së ishte i bezdisshëm për Berishën dhe të tjerët. Si dhomë fjetje gjatë këtyre ditëve përdornim sallën e konferencave për shtyp të PD-së.
Më datën 18 shtator pasdite bjen dera e kësaj salle. Po pushonim bashkë me 4 shokët e mi, se aq kishim mbetur. Mos e hapni, thashë. Por vazhdonte të binte me intervale kohe prapë dera.
Kush është, pyeta. Kur dëgjoj një zë të mekur që thotë: Jam Saliu.
– Dhe ju e latë të hynte?
– E lashë të priste edhe nja dhjetë minuta prapa derës, por kur vazhdoi të trokiste prapë, çfarë t’i bëj asaj zemrës së butë time ndaj Berishës dhe thashë: Hapeni.Erdhi, u fut brenda me kokën ulur dhe donte të fliste, po nuk po e niste dot. E kuptova hallin e tij dhe i thashë që don që unë me shokët e mij të largohemi nga selia e PD.Jo, tha por është e rrezikshme qëndrimi për ty këtu, sepse është dhënë urdhër të gjitha forcave të armatosura që ku të shikohesh, të qëllohesh pa paralajmërim. – Nuk trembem, i thashë, po halli yt është tjetërkund, por pranoje një gjë: Që ti më shite mua dhe shokët e mi.
Ka ulur kokën e nuk ka folur fare.
– Si u ndatë me të?
– I thashë, do largohemi po më këmbë nuk largohemi dot meqë paska një urdhër të tillë për mua. Do t’ju nxjerrim, tha, me makinat e deputetëve. Epo mirë, i thashë, meqë unë jam më i rrezikuari po dal me makinën e Zhozit, sepse ajo është edhe nënkryetare e parlamentit dhe është më e sigurtë.
sal
– Dhe me të ikët?
– Jo. Dëgjova se Zhozi nuk kishte pranuar. Se gjoja shoferi kishte frikë të përdorte makinën në të cilën ndodhesha unë. Si përfundim vendosëm të dilnim me makinën e Genc Pollos. Dhe për këtë nuk dua t’i ha hakun Gencit se, pasi shoferi i tij nuk pranoi ta përdorte makinën nga frika, ishte vetë Genci që kaloi në timon.Kishim edhe një problem tjetër gjatë daljes, sepse PD ishte e rrethuar e survejuar nga çdo anë me shiksa e policë civilë që prisnin daljen time e shokëve të mi. Nuk duhet të dukesha unë që isha në makinë, për këtë bëmë një zgjidhje të detyruar dhe unë u shtriva në sediljen e mbrapme të Tojotës së Pollos dhe u nisëm me shpejtësi në itinerarin më të shkurtër drejt Bregut të Lumit.
-Si ja dolët; a ikët nga Tirana?
-Ishim të armatosur, 5 veta gjithsejt. Na la Pollo në Breg të Lumit dhe nisemi në një rrugë të gjatë për Mamurras nga ku pastaj do kalonim në Shkodër.Më kanë thënë që 5 minuta pasi kemi dalë me makinën e Pollos nga PD-ja, Tirana dhe rrugët e saj janë mbushur me qindra postblloqe në çdo rrugicë. Një shtetrrethim të tillë nuk ishte parë ndonjëherë në Tiranë.Por edhe kësaj radhe ia hodhëm. Unë u largova nga selia e intrigave e poshtërsirave, për të mos u kthyer kurrë më në të.
– Si e bëtë rrugën deri në Shkodër?
Si ikëm? Pasi ecëm rreth tetë orë me këmbë nëpër fshatrat e Tiranës e Krujës, mbërritëm në Mamurras tek një miku jonë që punonte në Forcat Speciale të Laçit.
I thamë që duam të shkojmë në Shkodër, por rruga ishte e mbushur me postblloqe të shumta. Ishte e pamundur të kalohej, ndaj bëmë planin dhe pasi u veshëm me uniforma policie, nisëm rrugëtimin. Në postblloqe mikun tonë e njifnin dhe kaluam pa probleme.Ne sipas mikut, ishim policë specialë nga Tirana dhe po shkonim në Shkodër për një detyrë sekrete… Kur ikëm nga Tirana nuk m’u ndejt pa pyetur Pollon: A mund ta arrestojnë Berishën? Më thotë që ka folur me miqtë e vet në Perëndim dhe ka marrë garanci që nuk do të preket, por megjithatë situata është shumë e acaruar dhe mund të pritet gjithçka. Ju duhet te jeni të përgatitur për çdo gjë…
– Si e gjetët situatën atje?
– Pasi udhëtuam nga Mamurrasi në Shkodër të shoqëruar nga policë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë që punonin akoma në Laç, por ishin simpatizantë të PD-së, mbërritëm në një hotel në hyrje të Shkodrës. Pasi hoqëm rrobat e policit, erdhën dhe na morën disa miqtë tanë shkodranë të PD.
Mësova se një apo dy netë më parë ishte sulmuar komisariati i Lezhës nga këta miqtë që na pritën dhe, pasi e kishin pushtuar kishin bërë edhe lirimin e të burgosurve. Gjatë këtyre ditëve ndiqnim me vëmendje zhvillimet në Tiranë dhe po merreshim me organizimin tonë ndaj çdo të papriture.Lëviznim lirshëm, por edhe me kujdes, në rrugët e Shkodrës, sepse shteti nuk funksiononte ai i dukshmi, policia apo rendi, por shërbimi sekret i Klosit ishte mjaft aktiv, siç arrita ta merrja vesh, në hedhje parash dhe blerje të njerëzve që kisha pranë.
sal1
– Megjithatë, Berisha nuk u arrestua
– Gjatë këtyre ditëve u bë nga ana e një grupi prokurorësh të prokurorisë së lartë me në krye Agim Tiranën, një deklaratë shumë kërcënuese ndaj Berishës që paralajmëronte arrestimin e tij. Na vijnë lajme nga qendra në Tiranë (kuptohet për cilën qendër e kam fjalën, PD-në) se duhet të vepronim e kërcënonim me veprime konkrete.
Se po ndërmorën ndonjë hap ndaj Berishës do të ketë pasoja dhe do vini ta lironi në Tiranë me çdo mjet. Kemi vendosur të sulmojmë komisariatin e Shkodrës, i cili pasi ishte pushtuar e sulmuar, ishte transferuar në një ndërtesë diku në periferi të Shkodrës, sepse sipas disa të dhënave po përgatitej të na godiste mua dhe shokët e mi.Këto të dhëna na kanë ardhur nga grupi i 5 policëve të liruar nga Mitat Havari gjatë rebelimit të mëparshëm në komisariatin e Shkodrës. Më vonë doli se këta policë të liruar, në shkëmbim të rifutjes së tyre në polici kishin vendosur të më fusnin në kurth mua dhe shokët e mi.
U përgatitëm për sulmin ndaj komisariatit që, sipas ish-policëve që bënin lojën e dyfishtë, ishte shumë i pambrojtur dhe i lehtë për t’u marrë. Por sipas informacioneve që morëm më vonë, ishte i mbushur me forca speciale dhe ishin krijuar disa prita dhe po prisnin të gatshëm për të hapur zjarr ndaj nesh.Këto fakte i mësova dy-tre ditë më vonë. Me këmbënguljen e disa miqve të mi, u vendos që unë të mos merrja pjesë në këtë sulm se nuk donin të më rrezikonin si komandant i rebelimit që më kishin shpallur.
Janë nisur rreth 100 veta në drejtim të komisariatit, por rrugës shokët e mi që kishin ardhur me mua nga Tirana, kanë vërejtur se shkodranët që kishin me vete kanë filluar të firojnë rrugës. Ka ardhur një moment që këta kanë ngelur rreth njëzet veta. Pjesa tjetër kishte firuar. Janë kthyer pa kryer misionin ku i priste vdekja e sigurt, sepse ishin ngritur prita dhe kam kuptuar që në këtë punë ka tradhti.Dhe një nga ideatorët e kësaj tradhtie ka qenë Zef Gjoni që luante me dy porta, pra edhe me PD-në edhe me PS-në. Siç mora vesh më vonë ai ishte në kontakte të vazhdueshme me mikun e tij Gramoz Ruçi dhe 5 ish policët e liruar nga komisar Havari, të cilët për t’u rikthyer në punë do përdornin gjakun tonë e të shokëve të mi duke na lëshuar në një pritë të përgatitur mirë.
– Pra, edhe aty ndiheshit të rrezikuar?
– Të thashë që lëviznim me kujdes në Shkodër. Një mbrëmje kur po rrinim tek shtëpia e një miku në Shkodër që kishte një radio policie që hynte në të gjitha kanalet, edhe atë të Ministrisë së Brendshme, dëgjojmë një bisedë të drejtorit të sapoemëruar të policisë në Shkodër, Vajdin Lame, me një eprorin e tij në Ministrinë e Brendshme, më duket drejtorin e policisë kriminale. Drejtori i thotë që jemi në ndjekje të personave nga Tirana, në mes tyre është edhe ish-shoqëruesi i ish-presidentit Berisha. Çfarë të bëjmë?
Kthehet eprori i Ministrisë: Zbatoni urdhrin që u kemi dhënë. T’i qëllojmë pa paralajmërim? Po, i thotë eprori Vajdinit. Po ne mund t’i arrestojmë, i thotë Vajdini. Zbato urdhrin, i kthehet eprori.Pas kësaj qëllohet pa paralajmërim mbi një makinë me ngjyrë të kuqe ku vriten dy qytetarë dhe plagosen dy të tjerë, të gjithë të pafajshëm. Faji i tyre ishte vetëm sepse udhëtonin në një makinë me ngjyrë të ngjashme me makinën që kishim shëtitur gjatë ditës unë me shokët e mi në Shkodër… Pas kësaj ngjarje të rëndë vendosëm të kthehemi në Tiranë.
– Si mbanit kontaktet me qendrën kur ishit në Shkodër?
– Kur ishim në Shkodër nuk kemi pasur kontakte të drejtpërdrejta me Berishën, por me njerëzit afër tij komunikonim vazhdimisht shokët që kisha afër.Ndër këta kanë qenë Shaban Memia e Sami Metalia. Por për Shabanin e shkretë do ndaj diçka me ju. Nuk e kam zënë më parë në gojë me askënd.Them ‘i shkretë’ sepse për pak ai do të ikte si një kurban i dytë i Berishës pas Azemit, por këtë radhë i vrarë direkt nga dora e partisë, dmth nga neve.
– Si? Do vritej Memia?
– Kur jemi kthyer në Tiranë dhe jemi strehuar në një shtëpi afër Brrylit me tre shokët e mi, nuk dilja fare përjashta. Dilte vetëm një shoku im i cili kishte qenë polic dhe nuk u nda nga unë deri sa u ktheva në Tropojë.
Ky person në atë kohë shkonte edhe tek selia e PD-së. Situata ishte e acaruar dhe pritej arrestimi i Berishës. Një natë ky miku im vjen e më thotë që kam folur me qendrën dhe duhet të kryejmë një veprim që të bëjë bujë dhe të largohet vëmendja nga grushti i shtetit dhe arrestimi i Berishës.Për këtë duhet të vrasim Shaban Meminë, i cili është person i përshtatshëm dhe lehtësisht i eliminueshëm. Për më tepër, është i sulmuar ashpër nga socialistët si organizator i shpërndarjes së armëve në mars ‘97.Këtë mision nuk mund të them që e kam marrë direkt nga Berisha, por nga një njeri i afërt me të.Por pasi e kemi menduar e pleqëruar këtë punë, përfundimisht kemi vendosur që Shabani nuk do të eliminohet.
– Izet, si e sheh sot 14 shtatorin 1998 ku edhe vetë ke marrë pjesë?
-14 shtatori ka qenë një tentativë e pastër për të rrëzuar qeverinë dhe institucionet e shtetit. Justifikimi im për këtë, flas për veten time, ka qenë që kjo qeveri ka ardhur me forcën e armëve dhe duhet të ikë në mënyrë të tillë.
Është shfrytëzuar edhe antipatia dhe urrejtja që kishin njerëzit për një njeri të papërgjegjshëm si Nano, të cilin as ata që i kishte afër nuk e donin dhe kërkonin t’i bënin gropën.Kanë marrë pjesë në këtë grusht shteti edhe shqiptarë nga Kosova të inkuadruar në forcat e FARK-ut të Bukoshit, por ka patur edhe nga ata pjesëtarë të UÇK që mendonin se Nano ishte bërë pengesë për luftën çlirimtare në Kosovë, furnizimin me armë të strukturave të UÇK. Edhe biografia e Nanos si një njeri që kishte takuar Milosheviçin duke e quajtur njeri që mund të bëjë paqen, mjaftonte që të ishte i padëshiruar për gjithë faktorët kosovarë.Si konkluzion them këtë: Deri në orën katër të pasdites së 14 shtatorit, Berisha ka qenë për mbajtjen dhe kontrollin e institucioneve që kishim pushtuar, si televizioni dhe kryeministria. (DITA)