Qeveria po fton bizneset të aplikojnë për të përfituar nga programet për nxitjen e punësimit të hartuara për të amortizuar goditjen në tregun e punës në situatën e re të krijuar prej pandemisë së COVID-19. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se programet e nxitjes së punësimit mbështesin sipërmarrjen, subvencionojnë kostot e biznesit dhe lehtësojnë punësimin e punëkërkuesve. “Si rezultat i paketave mbështetëse të akorduara nga qeveria dhe tre programeve për nxitjen e punësimit të prezantuara në muajin korrik, kemi 3 mijë të punësuar më shumë. Ky numër i të punësuarve është kryesisht në sektorin e turizmit”, bëri të ditur Denaj

Nga programet afatshkurtra deri në ato 12 mujore, qeveria shqiptare ofron mbështetje financiare për pagat dhe sigurimet shoqërore të punonjësve të rinj. Në fund të muajit korrik qeveria miratoi 3 skema për nxitjen e punësimit të personave të dalë të papunë si pasojë e COVID-19, nga data 10 mars 2020 deri në datën 23 qershor 2020.

Programi është 4, 8 ose 12-mujor punësimi, në të cilin profili dhe nevojat e punëkërkuesit përshtaten me vendin e lirë nga punëdhënësi. Për programin e punësimit katërmujor, qeveria subvencionon financimin e pagës në shumën 100% të pagës minimale në shkallë vendi, për 2 (dy) muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuara në muajin e parë dhe të katërt të kontratës. Po ashtu, kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuara çdo muaj.

Për programin e punësimit tetëmujor, qeveria subvencionon financimin e pagës në shumën 100% të pagës minimale në shkallë vendi, për 4 (katër) muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuara në muajin e parë, të dytë, të shtatë dhe të tetë të kontratës.

Gjithashtu subvencionon kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuara çdo muaj.

Për programin e punësimit 12 (dymbëdhjetë) mujor, qeveria subvencionon kostot e financimit të sigurimeve të detyrueshme (kontribut i punëdhënësit dhe punëmarrësit) në masën 100%, të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së programit, të kompensuara çdo muaj. Për të përfituar nga kë programe bizneset duhet të aplikojnë në platformën e-albania.