Këshilli i Lartë i Prokurorisë i ka uruar suksese Aida Hajnajt, në nisjen e detyrës si drejtuesja e parë e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Përmes një njoftimi për shtyp, KLP sqaron se në bazë të ligjit është bërë emërimi i Hanajt në këtë detyrë.
“Mbështetur në Kushtetutë dhe në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” dhe si rezultat i një procesi përzgjedhës shumë rigoroz dhe sfidues ku janë vlerësuar aftësitë profesionale , integritet si dhe aftësitë mendore e fizike të kandidatëve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka emëruar me datë 30 Korrik 2020 zj. Vezaj (Hajnaj) në pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit për një mandat 5 vjeçar me të drejtë riemërimi, duke filluar nga data 01 Shtator 2020.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë gjen rastin për të shprehur mbështetjen e tij të plotë për strukturën më të lartë të hetimin në vend, e cila përmbyll me sukses procesin për ngritjen e institucioneve të reja për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe garantojnë zbatimin dhe funksionimin e reformës në drejtësi.”, thuhet në njoftim.