Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) po vijon verifikimet për secilin nga rastet e fituesve të Skemës Kombëtare 2020 si dhe kryerjen e pagesave të tyre, sipas Skemës Kombëtare, për të disbursuar të gjitha fondet e akorduara nga buxheti i shtetit në mbështetje të bujqësisë. Pagesa të kryera deri tani nga Skema Kombëtare e mbështetjes për bujqësinë, janë dhënë për 3 754 fermerët përfitues në vlerën totale prej 727 milionë lekë. Drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca, në takimin që zhvilloi në Agropikën e Tiranës, me ekipin e shërbimit dhe të terrenit, diskutoi për objektivat dhe problematikat e përditshmërisë me të cilat ndeshet ky ekip në qarkun e Tiranës.
Krifca u shpreh se, “për mua si drejtuese e AZHBR-së është thelbësore të krijoj kushtet për një komunikim të hapur, vënien në funksion të mekanizmave të saktë të kontrollit dhe sigurimin e një transparence të plotë për administrimin e fondeve”.
“Është tepër e rëndësishme kontakti i drejtëpërdrejtë me fermerin dhe stafin, ndërkohë që vijon puna dhe është drejt përfundimit kontrolli në terren për kryerjen e të gjitha pagesave të adresuara nga Skema Kombëtare në mbështetje të fermerëve”- tha ajo.
Sipas AZHBR-së, numrat rendor të aplikantëve që janë përfshirë mbi vijën e financimit janë: Masa 1: Tufa bazë e matrikulluar – Do të përfshihen në fond aplikimet deri në numrin rendor 3102; Masa 2: Bletaria- Do të përfshihen në fond aplikimet deri në numrin rendor 1377; Masa 3: Financime për zëvendësim plastmasi termik – Do të përfshihen në fond aplikimet deri në fund të listës; Masa 4: Mbjellje bimësh mjekësore dhe aromatike – Do të përfshihen në fond aplikimet deri në numrin rendor 269 E gjithë struktura e AZHBR-së, që nga pranuesi i aplikimeve në Agropika, deri tek ekzekutuesi i pagesës dhe dërgimi në thesar, po kryen të gjithë procesin në kohë rekord. Në total pranë AZHBR sipas afateve aplikuan 7653 individë që ndaheshin në shtatë masa mbështetëse.