Cili është dëmi real dhe sa gjatë do t’i ndiejmë efektet e epidemisë së COVID në ekonomi? Kjo është një pyetje që për momentin askush nuk i jep dot përgjigje të qartë, jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë. Megjithatë, shenjat paraprake në Shqipëri tregojnë se biznesi vijon të zgjerohet pavarësisht goditjes fillestare në të ardhura. Të dhënat zyrtare sugjerojnë se trendi i rikuperimit është forcuar më tej gjatë muajve korrik edhe gusht.
Së pari, numri i bizneseve aktive është rritur dhe tashmë është më i lartë edhe se para bllokimit. Në fund të muajit korrik, Shqipëria numëron 113 mijë e 939 biznese aktive ose 2,973 subjekte më shumë se sa në shkurt. Kjo e dhënë nuk tregon se janë hapur 3 mijë biznese më shumë, por që bilanci midis bizneseve të mbyllura dhe atyre të krijuara rishtaz është me plus këtë shifër. Shumica dërrmuese e këtyre bizneseve janë biznese të vogla dhe të mesme dhe kanë një efekt pozitiv dhe imediat në punësimin në vend.
Përpara krizës, Shqipëria ishte vendi me papunësinë më të ulët në Ballkanin Perëndimor, i vetmi nën normën e 11%, teksa mesatarja është 16% dhe afrohet deri në 25-30% në rastin e Kosovës dhe Bosnjes. Ndërsa sot, pavarësisht një rritje të lehtë të papunësisë, treguesit aktualë lënë të shpresohet se efekti i COVID nuk do të ndihet gjatë, të paktën në punësim. Deri në prill, në vendin tonë u humbën gati 38 mijë vende pune, por nga këto, 24 mijë vende janë rikuperuar ndërkohë dhe për këtë, një rol të rëndësishëm luajnë edhe rreth 3 mijë bizneset e reja që janë krijuar.