Zëvendëskryeministri Erion Braçe deklaroi se gjatë qeverisjes socialiste, nga viti 2013 deri në vitin 2019, janë dhënë vetëm 47 kontrata me Partneritet Publik Privat , ndërsa gjatë qeverisjes së PD janë dhënë 177 kontrata.

“Në raportin e koncesioneve të vitit 2019 gjeta një shifër prej 220 që përmendeshin në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH). Nuk i kemi dhënë ne. Janë në total nga vitit 2004 deri 2019, 224 kontrata me Partneritet Publik Privat nga vitit 2004 deri në vitin 2019”, deklaroi Braçe.

Sipas tij, nga viti 2004 deri në 2013 janë 177 kontrata me PPP. Për periudhën 2013 deri në vitin 2017, vijoi Braçe, janë dhënë 36 kontrata me PPP, ndërsa nga vitit 2017 deri në vitin 2019 janë dhënë 11 kontrata me PPP.

Zv/kryeministri Braçe tha se kemi një raport 177 me 47, që do të thotë që gjatë qeverisjes së djathtë janë dhënë 177 kontrata me PPP, ndërsa gjatë periudhës kur në pushtet ka qenë Partia Socialiste janë dhënë vetëm 47 kontrata PPP.

“Si volum investimesh, në total janë 5 miliardë dollarë. Kontratat defi në 2013 janë 3.6 miliardë dollarë. Gjatë periudhës 2013 deri në vitin 2017 janë 684 milionë dollarë, ndërsa për periudhën 2017-2019 janë dhënë 11 kontrata me PPP me vlerë 792 milionë dollarë“, bëri të ditur Braçe.

Sipas tij, procedurat nuk janë perfekte. Por, vuri në dukje ai, unë mburrem me kontratën për ndërtimin e parkut energjikvoltaik në Karavasta , një kontratë model, një procedurë model dhe një çmim që reflektonte pikërisht këtë sukses të procedurës dhe të investitorit të huaj strategjik që vjen të investojë në Shqipëri.

“Ai është një rast model. Nuk mohoj që të ketë pasur edhe raste ku është çeduar në kontrata por ka disa instanca që gjykojnë, Prokuroria dhe Gjykata“, tha ai.