Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ndodhet në Shkup, ku po zhvillon një vizitë zytare dy ditore. Këtë vizitë, Kryediplomati Cakaj e nisi me një takim me homologun e tij, Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani. Në fokus të takimit të zhvilluar ishin diskutime mbi mbajtjen e mbledhjes së ardhshme ndër-qeveritare me theks të veçantë në vazhdimin e punëve për ndërtimin e rrugës së Arbërit, interkoneksionit Manastir-Elbasan e menaxhimit të mirë të Liqenit të Ohrit. Gjithashtu, homologët theksuan fuqimisht domosdoshmërinë e punës së përbashkët për të avancuar më tej me procesin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Duhet thënë se Shqipëria llogarit fort mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për kandidaturën e saj si anëtare jo e përhershëme në Këshillin e Sigurimit për 2022-2023.”- u shpreh Cakaj. Më tej, Kryediplomati Cakaj shprehu se me Ministrin Osmani ndanë të njëjtën pikëpamje, atë të dialogut Kosovë-Serbi, i cili duhet të përfundojë qartë dhe prerë me njohjen e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë.