Shkrimtarja rumune, Lavinia Braniște ishte me një bursë në Zvicër, kur në Europë u mbyllën kufijtë. Se sa konkret mund të jetë kërcënimi i Covid-19, ajo e përjetoi menjëherë pas kthimit në vendlindje. Kur kushëriri më dha lajmin e një testi pozitiv të Coronës dhe dërgimin e menjëhershëm në spital, një moment ngriva. Disa orë me radhë ndenja me sy ngulur në ajër. Pashë, se si do e humbnim jetën një pas një, e gjithë familja. Madje edhe radhën si do iknim nga kjo botë; unë e parafundit, dhe gjyshja ime e fundit. Pyeta veten, kush do kujdesej për të, nëse unë nuk do isha më në këtë botë. Pastaj u zgjova papritur nga kjo gjendje, dhe u kujtova, që tezja, nëna e kushëririt tim, kishte qenë një natë më parë tek unë. Si në ethe fillova të pastroj dorezat e dyerve me dezinfektues. Pastaj hodha edhe tasin, që kishte përdorur ajo.

Çfarë mund të bësh, kur fundi i botës të troket në derë? Gjyshja ime qante pa pushim nga dhimbja për kushëririn, dhe kjo më bezdiste pak, megjithëse ajo edhe nga dhembsuria për mua lëshonte lotë të sinqertë, se unë nuk pata fat në jetë. Për shkak se nuk kishte shtretër bosh në spitalet në Galati, qytetin ku banon kushëriri që ishte me ethe dhe në gjendje serioze, ai u dërgua në një klinikë në Tecuci, një qytet më i vogël. Këtë moment nuk e kisha të qartë: çfarë ishte më keq, sëmundja e tij, apo që ai u dërgua në një spital të një qyteze të vogël? Kush është Tecuci? Si është gjendja aty?

Një virus si apokalypsi Më vonë kuptova, se të gjitha gjendjet tona shpirtërore dhe ndjenjat tona ato ditë ishin shumë të ndikuara nga ajo që kishim parë në televizion dhe kishim lexuar në shtyp. Nga ngjyresa me të cilën përshkruheshin informacionet. Ky virus ishte një apokalips që na gjeti. Ditë më pas kushëriri filloi të na telefononte me videochat nga shtrati i spitalit, që më kujtoi shtratin e hekurit nga koha ime në konvikt. Nuk e di, nëse ai nën dyshek kishte një derë të ndryshkur, si unë në konvikt, por ai të paktën dukej optimist dhe ndjehej i trajtuar mirë. Ai na tha, se mjekët janë të veshur si në televizor, në kostume të mbrojtura, e nuk mund t’ua dallosh fytyrën. Çdo ditë për drekë u servirej diçka e gatuar me kofsha pule. Unë mendova, se ndoshta sipërmarrja e pulave do ishte e lidhur me miqësi me kryetarin e bashkisë. Në Rumani nuk bën dot ndryshe pa menduar kështu.

Por ndoshta duhet të jemi më të butë me veten. Periudhën e parë të pandemisë e kalova në një vend tjetër, në një botë me ajër, ku kishe vend të bollshëm për distancë, ku çdo dy tre hapa gjeje burime të pashtershme të dezinfektuesve. Këtu në Rumani kam gjithmonë ndjesinë se rrimë ngushtë. Vit për vit ne bëhemi më pak, (popullsia e Rumanisë zvogëlohet për shkak të emigracionit masiv, shën.red). po pse gjithkund vendet janë plot? Ndoshta kjo ndjesi e ngushtësisë është më shumë një gjendje shpirtërore.

Familja m’u hodh për të më përqafuar Në mars qëndrova në një shtet, ku m’u bë e qartë për herë të parë, se si duket një vend, ku qytetarët kanë besim tek autoritetet dhe pandeminë e shohin me qetësi. Ishte privilegj të qëndroja aty me një bursë. Gati e sëmurë nga shqetësimi për familjen, nuk mendoja gjë tjetër, veçse të isha si strehë për ta. Me familjen dhe miqtë flisja rregullisht në Skype, takohesha me miqtë virtualisht për biseda mbrëmjeje me ish-koleget nga universiteti që nga e studimeve nuk i kisha parë. Ishte bukur dhe na ndihmoi të mbeteshim në kontakt. Por nuk ishte reale.

Në fund të korrikut u ktheva në vendlindje. Në avion mbusha një formular me të dhënat personale, dhe (një detyrim se nuk do t’i pengoja përpjekjet e autoriteteve në luftë kundër pandemisë), të cilët duhej ta dorëzoja në aeroport, por aty nuk erdhi kush t’i mbidhte formularët. Në autobus shoferi tha t’i mbanim maskat gati, nëse na ndalonte policia. Sa erdha në shtëpi familja m’u sul, se ishte fyerje të qëndronim në distancë. Pastaj në mbrëmje, shtrirë në shtrat, m’u duk pafundësisht larg vendi që kisha lënë, sikur përvoja e atyre ditëve të kishte qenë në një jetë tjetër. Këtu në Rumani secili ka stilin e tij për ta përjetuar pandeminë. Më vonë do të qeshim ndoshta, nëse nuk bëhet puna tragjike.

Alarmi – pjesë e jona Dy ditë pas mbërritjes sime kushëriri shkoi në spital. Kjo më bëri të qartë, se gjërat këtu po ecin më keq, se në pjesë të tjera të Europës. Por nuk ishte fundi i botës. Mund të flisja përditë me të. Ditën e parë kisha përshtypjen, se do vdisnim të gjithë, por të pestën e të gjashtën, kur dëgjoja fqinjin e tij në dhomë të telefononte me të tijtë, më erdhën mendime të tjera: në spital nuk mund të lexosh asnjë libër, sepse e gjithë bota telefonon. Pastaj kushëriri im për fat doli nga spitali, por iu tha, se gjashtë muaj kishte për t’u kollitur. Pas tij u sëmur nëna e tij, dhe gjithçka filloi nga e para. Kësaj here nuk ishim më aq të dëshpëruar, por të këputur nga gjendja e vazhdueshme e alarmit. Ai vazhdonte të ishte gjithmonë në mendje, ishte një pjesë e jona, sikur të kishim lindur me të. Kemi reflekse të reja, një vëmendje të re: kë dhe çfarë prekim, çfarë distance mbajmë edhe në familje? A është e sigurtë të jesh ulur me dikë në tavolinë, që vjen nga një udhëtim i gjatë? Ndjenja e papëlqyer që të kap, kur nuk ke vend për të ruajtur distancën, apo kur gjykon të tjerët për sjellje, që edhe ti vetë i bën gjatë ditës.

Çfarë ka ndryshuar me Coronën? Nuk e di, nëse kjo përvojë do të na ndryshojë në nível global. Gjatë karantinës në mars dhe prill pati një periudhë të shkurtër disa javore, ku u reduktuan emetimet e gazit karbonik, në një mënyrë që nuk dukej e mundur më parë. Pamë se mund të jetonim edhe pa udhëtimet e shoping dhe menduam se pandemia do të na japë një leksion për konsumim më të përgjegjshëm. Por nuk është kështu. Pati edhe një shpresë të vogël se politika në drejtim të tregut të punës, banimit dhe arsimit do të ndryshonte, se ne do të kuptojmë, se sa të rëndësishme janë rrjetet sociale të sigurisë. Por hë për hë mbetemi tek Crowdfunding. Shpresa mund të vijë nga njerëzit në krah tonin, jo ata sipër nesh.

Mendoj, se në nível global e kemi humbur momentin për të mësuar leksionin që të bëjmë një ndryshim me rëndësi në shoqëri. Po në nível individual kjo situatë e papritur na ka bërë më të menduar. Si unë, si dikush që përkohësisht ishte i izoluar në një nga vendet e pasura të Europës, si nëna ime që jeton në Spanjë prej 17 vitesh dëshiruam më së shumti në mars e muajt më pas të ishim strehë, strehë për të dashurit tanë. Autostradat (e munguara), spitalet dhe të gjitha gjërat e tjera që për ne rumunët janë simbole të dallimit mes Lindjes dhe Perëndimit u bënë papritur të parëndësishme. Ne donim vetëm të ishim bashkë. Ndoshta kjo është e vetmja gjë që nuk do të na ikë pas pandemisë, që fjala strehë ka marrë një kuptim të ri. Shkrimtarja dhe përkthyesja, Lavinia Braniște (lindur në 1983) jeton dhe punon në Rumani. Romani i saj i parë, Interior Zero në vitin 2016 u nderua me titullin e librit më të mirë të vitit. Në vitin 2018 ai u botua në gjermanisht. Romani i saj i dytë Sonja ngre dorën botohet në vitin 2021 në gjermanisht.

Nga rumanishtja e përktheu: Dana Alexandra Scherle