Përmes skemave të granteve dhe garancive nga qeveria, biznesi po përmirëson gjithnjë e më tepër teknologjinë dhe rrit kapacitetet prodhuese. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj u ndal në Malësinë e Madhe, në fermën dhe në fabrikën e përpunimit të produkteve të qumështit “Djathë Veleçiku”, një biznes familjar që dita-ditës po rritet nga pasioni dhe i mbështetur përmes granteve të ndryshme nga qeveria shqiptare. Denaj tha se skemat e IPARD-it kombinohen shumë mirë me skemat e garancisë së qeverisë.

“Shqipëria ka prej vitit 2016 që po zbaton skema garancie për këtë sektor”, u shpreh ministrja. Garancia e shtetit, tha ajo, shtyn bankat për të dhënë një financim. Përfaqësuesi i kompanisë theksoi se lëndën e parë e siguron nga banorët e zonës. Ai bëri të ditur se po i nxit ata të krijojnë edhe një kooperativë.

“Nxitja drejt grupimit përmes kontratave siguron cilësinë, lëndën e parë dhe mbi të gjitha aksesin në financë më të garantuar. Dhe këtë ne e mbështesim shumë fort”, tha Denaj. “Falë kësaj ndihme biznesi ka rritur kapacitetet prodhuese, ka përmirësuar teknologjinë, ka ulur kostot dhe ka investuar në përmirësimin e paketimeve të produkteve me synim për ta bërë këtë markë të njohur në tregje të tjera”, deklaroi Denaj. Gjithashtu kjo sipërmarrje, tha Denaj, po shërben edhe si mbështetje për 40 fermerët e zonës, të cilët po synojnë të rrisin numrin e krerëve të imta me qëllim rritjen e ekonomisë së zonës.