Nga Astrit Patozi/
Ata që nuk kuptojnë fare çfarë po ndodh në Shqipëri, po presin me ankth që Ilir Meta të caktojë datën e zgjedhjeve, gjëja më pa vlerë në betejën e ardhshme politike. Jo thjesht se marzhi është i kufizuar, nga mesi i prillit, deri në mesin e majit, që praktikisht do të thotë asgjë.
Lojtarët kryesorë, që i kushtuan vëmendje ftesës së Presidentit, duke u përfaqësuar në nivelin më të lartë për një çështje pa pikë rëndësie, në fakt, kanë një hall tjetër, por që askush nuk e përmend. Çfarë do të bëjnë me listën e hapur, do ta mbajnë 30 përqindëshin e mbyllur për vete, apo jo, se për atë po u qan zemra dhe me to po i bëjnë të gjitha llogaritë elektorale.Dhe në rast se hapja nuk do të jetë 100 përqind, por me klauzola, ku sërish kryetarët të kenë çelësin e artë të përfaqësimit, ta dini se do të jetë një marrëveshje e re okulte e Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Të cilët nuk ka nevojë as të takohen dhe as të qepallohen për interesa qartësisht të përbashkëta.
Nga kjo dakordësi e përjashtoj LSI-së, jo se është më e mirë, por sepse asaj nuk i leverdis fare lista e mbyllur 30 përqind, në rast se do të garojë e vetme në këto zgjedhje. Dhe kjo ka më shumë mundësi që të ndodhë, mjafton që të ndjekësh aktivitetin publik të Ilir Metës. Në këtë kontekst, e vetmja gjë që duhet pritur me kërshëri nga qytetarët e angazhuar politikisht është se si do të shkruhet në Kodin e ri Zgjedhor hapja e listës, e cila u konsiderua si revolucion për sistemin tonë politik, por që në fakt është një taktikë hileqare e Edi Ramës kryesisht për të marrë avantazh parazgjedhor. Unë uroj shumë që PS dhe PD ta ruajnë 30 përqindëshin e mbyllur në listat e tyre dhe ka shumë gjasa që ata të mos ma zhgënjejnë pritshmërinë. Do të ishte një argument më shumë për shqiptarët për të kuptuar se kë duhet të refuzojnë pa asnjë mëdyshje në këto zgjedhje. Pastaj, le të mendohen për ata që duhet të pranojnë, se kanë kohë.