Biznesi po paraqet interes për të përfituar likuiditet nga garancia e dytë sovrane, e shpallur nga qeveria në situatën e krijuar prej pandemicë së COVID-19. “Për të nxitur rikthimin në punë të individëve që u larguan nga pandemia e COVID-19, garancia e II sovrane është një format shumë i mirë, i cili do të mbështesë biznesin që ka nevojë për likuiditet për të akomoduar këtë transformim”, tha ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj gjatë një takimi të zhvilluar një ditë më parë. Por ministrja Denaj vuri në dukje se nuk është e mundur që bizneset për një periudhë kohe 6-mujore të akomodojnë të gjithë planin e biznesit.

Ndaj, tha ajo, ne nuk kemi arsye të mos e shtyjmë për vitin tjetër disbursimin e fondeve që bizneset mund të përfitojnë përmes kësaj garancie. “Garancia e dytë sovrane është duke ecur shumë mirë. Ne parashikojmë të realizojmë në masën 50% disbursimin e fondeve të parashikuara në këtë garanci brenda këtij viti. Nuk ka asnjë arsye pse të mos e shtyjmë edhe për vitin tjetër. Kjo varet se si do të arrijë qasjen për thithjen e financimit biznesi”, deklaroi Denaj.

Referuar të dhënave të fundit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, 295 sipërmarrje në të gjithë vendin kanë aplikuar pranë bankave të nivelit të dytë për të përfituar fonde nga instrumenti i garancisë financiare II që lëshoi qeveria shqiptare për kapital qarkullues dhe investime, për të përballuar situatën në të cilën u ndodhën këto kompani, për shkak të pandemisë së COVID-19.Kjo garanci sovrane aplikohet për bizneset e të gjithë sektorëve të ekonomisë që kanë nevojë për kapital qarkullues dhe investime për rimëkëmbjen e tyre. Deri tani bizneset kanë aplikuar për një fond rreth 11,5 miliardë lekësh dhe janë aprovuar 50% e aplikimeve nga bizneset.

Avantazhet e kredisë me garanci sovrane janë kushtet preferenciale të financimit, interes që nuk do të kalojë asnjëherë normën 5%, periudhë pa shlyerje të principalit prej 6 muajsh, garanci 60% nga shteti shqiptar për kolateral si dhe periudhë shlyerjeje 5 vjeçare.