Shqipëria ka nisur për herë të parë eksportin me 1.2 tonë të frutit Goji Berry, drejt Austrisë, duke shënuar një risi jo vetëm në kultivimin me sukses të këtij produkti ekzotik në vendin tonë, por edhe eksportin e tij në tregun e huaj. Goxhi, apo siç njihet me emrin Goji Berry, është një frut i rrallë për Europën, por shumë popullor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Kinë. Goji Berry janë shumë të kërkuara në vendet e Europës, por edhe më gjerë. Ato janë kokrra të vogla të kuqe, me pamje si të frutit të thanës, pa bërthamë. Goji Berry për herë të parë në Shqipëri, është një iniciativë e sipërmarrjes shqiptare.
Ata pas studimesh të thelluara dhe në bashkëpunim me një grup izraelitësh, ndër prodhuesit më të mëdhenj të Gojit në botë, nisën vitin e kaluar, mbjelljen e Goji Berry në Karavasta të Divjakës, në toka që deri dje, përpara mbjelljes me fidanët e këtij fruti të veçantë, ishin toka djerrë dhe joproduktive. I gjithë prodhimi i 34 mijë rrënjë fidanësh Goji, që kultivohet në një sipërfaqe prej 30 hektarësh tokë, është i destinuar kryesisht për t’u eksportuar jashtë vendit, mbi bazën e kontratave dhe marrëveshje që kompania ka nënshkruar me kontraktorët e huaj, duke shtuar kështu një korridor të ri të eksporteve bujqësore shqiptare. Frutat Goji janë të famshme për vlerat e fuqishme shëndetësore që ato kanë. Ato konsumohen të freskëta, në gatime të ndryshme por edhe të thata. Goji janë përdorur në mjekësinë tradicionale popullore dhe janë shumë të kërkuara nga tregu.