Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj deklaroi sot se qeveria ka transferuar pothuajse tërë fondin prej 86 milionë dollarësh si grante për banorët për meremetimin e banesave të dëmtuara lehtë nga tërmeti i 26 nëntorit.
“Programi i shpërndarjes së granteve për banorët të cilëve iu është dëmtuar lehtë apo mesatarisht shtëpia nga tërmeti i 26 nëntorit po ecën me ritme të shpejta. Është transferuar pothuajse e gjithë shuma prej 86 milionë dollarësh e parashikuar në buxhet te qytetarët”, u shpreh ministri.
Në të gjitha zonat e prekura nga tërmeti janë mbi 20 mijë familje që përfitojnë grant për meremetimin e banesave të tyre.
Deklarata e ministrit Ahmetaj u bë gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes me drejtorin e Fondit të Katarit për Zhvillim, Khalifa Al Kuwari, për ndërtimin e dy shkollave dhe kopshtit e çerdhes 42, përmes një investimi prej 5 milionë dollarë sh, kontribut i Katarit në Konferencën e Donatorëve në Bruksel.