Vendimi për hapjen e shkollave ka qenë shumë i vështirë. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama nga Vlora, teksa inspektoi punimet e shkollës “24 maji”. Ndër të tjera kreu i qeverisë paralajmëroi që do të ketë sërish numra të personave të të infektuarve me covid.

Rama u shpreh se kostoja psikologjike e mbajtjes së fëmijëve në shtëpi është shumë e lartë.

“Na është dashur ta marrim këtë vendim shumë të vështirë. Vendim i vështire sepse edhe pse thuhet dhe faktet thonë se fëmijët janë më pak të rrezikuar, e para unik është e vërtetë për të gjithë fëmijët kjo. E dyta fëmijët vetë mund të jenë më pak të rrezikuar, por janë transmetues. Pra e marrin dhe e shëllin në shtëpi. Do kemi prapë rritje të numrave. Por nga ana tjetër kostoja psikologjike e mos hapjes së shkollave dhe e mbajtjes së fëmijëve në shtëpi është e madhe dhe pasojat që mund të lërë kjo ndarje kaq e gjatë me shkollën janë të mëdha. Kështu që mes të dyjave ne bëmë këtë zgjedhje. Por në këtë zgjedhje rolin e posaçëm e keni ju. Të jesh strikt, por të jesh I duruar sepse nuk bëhet kjo me britma, me ulërima me imponim, por duhet me shpjegim. Hajde shpjegoja Zahos pse nuk duhet të takohesh me shokun, pse duhet të mbash maskën, pse duhet të lash duart…hajde shpjegoja. Shumë i vështirë”, tha kryeministri Rama.

Rama theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të mësuesit me prindërit.

“Nga ana tjetër është shumë e rëndësishëm për të bashkëpunuar me prindërit. Pra duhet futur gjithë bota e fëmijëve në një kornizë, por pa i krijuar deformacione në mënyrën e perceptimit, është e nevojshme ti thuhet se kjo është e përkohshme. Po hajde tregoja përkohshmërinë”, u shpreh kryeministri.