Mbështetja e qeverisë gjermane përmes GIZ Albania ka pasur impakt në plotësimin e kritereve për negociatat me Bashkimin Europian. Tashmë ky proces po mbështetet përmes projektit SANECA, por Gjermania ka ndihmuar Shqipërinë në rrugën drejt integrimit që në fillimet e rrugëtimit.
Përmes projektit “Mbështetje për Harmonizimin e Legjislacionit Ekonomik dhe Tregtar me Acquis të BE-së” që ka zgjatur midis 2015 dhe 2018 qeveria shqiptare është mbështetur me asistencë teknike për përmirësimin e cilësisë së ligjeve, rritjen e kapaciteteve zbatuese dhe përmirësimin e menaxhimit të procesit të përgatitjes për hapjen e negociatave me BE-në. Në fokus kanë qenë kapitujt 1, 3, 6, 20, 28 të acquis së BE-së. Si rezultat: Mbi 160,000 kompani operojnë në Shqipëri në një mjedis të përmirësuar biznesi që përputhet me standardet e BE, pas harmonizimit të ligjeve kombëtare ekonomike dhe tregtare me acquis të BE.
Gjatë viteve 2015 – 2018, 18 akte juridike ekonomike janë harmonizuar me legjislacionin e BE-së. Analiza e pajtueshmërisë me legjislacionin e BE është bërë për më shumë se 243 akte, si një bazë për punën e qeverisë për të planifikuar dhe prioritizuar renditjen e mëtejshme. Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), u krijua si një sportel ku bizneset regjistrohen dhe marrin licenca brenda një kohe më të shkurtër. Në vitin 2016 QKB u emërua institucioni më i mirë që ofron shërbime publike.
70 anëtarët e Grupeve Ndërinstitucionale të Punës u pajisën me mjetet dhe njohuritë e nevojshme për t’u përgatitur siç duhet për negociatat e anëtarësimit. 1 064 zyrtarë publikë morën trajnim përmes platformës e-mësimit të integruar në sistemin e trajnimit ASPA. 80 anëtarë të GNP-ve fituan njohuri përmes kurseve për përmirësimin e hartimit të ligjeve, 80% e tyre konfirmuan zbatimin në punën e tyre të përditshme.
Më shumë se 100 përfaqësues nga shoqëria civile dhe komuniteti i biznesit u konsultuan gjatë aktiviteteve të ndryshme të projektit. Ndërkohë, informacioni ndërgjegjësues për të drejtat e konsumatorit u rrit përmes aktiviteteve dhe shpërndarjes së rreth 23,000 broshurave.