Ministri i Shtetit për Sipërmarrjen, Eduard Shalsi, deklaroi sot se “2019 njohu nivelin rekord të uljes së papunësisë në shifrat e 11.2%”.

“Të gjitha nismat e ndërmarra nga kjo mazhorancë kishin filluar të jepnin frutet e tyre. Hoqëm taksën e biznesit të vogël me shifër deri në 5 milionë lekë, përfituesit ishin rreth 93 mijë biznese, ulëm taksën e biznesit në 5% për rreth 18 mijë biznese me xhiro nga 5-14 milionë lekë”, tha Shalsi Në një intervistë televizive Shalsi theksoi se “vetëm 9% e bizneseve apo rreth 11 mijë e 200 biznese me xhiro mbi 14 milionë kishin taksën mbi 15%. Sigurisht kemi vijuar të përmbushim premtimet tona duke marrë në konsideratë dhe mundësitë”.

“Ne morëm përsipër të hidhnim disa themele të shëndosha dhe natyrisht është e kuptueshme që nuk mund të shkosh tek një rritje ekonomike 0-1 % në 10% pa kaluar tek 1, 2, 3, 4 sikundër po ecnim deri në 2019. Pra një pjesë e reformave kishin filluar të jepnin efektet e tyre, një pjesë ishin duke dhënë dhe një pjesë do edhe ca kohë”, – nënvizoi Shalsi. Sipas tij, goditja e tërmetit dhe sidomos ajo e pandemisë të dyja të papritura e tronditën thellë ekonominë e vendit.

“Pandemia ka çuar në recension për herë të parë vende me ekonomi shumë më të qëndrueshme dhe të zhvilluara nga Shqipëria. Goditja ishte e pamëshirshme edhe në këto vende të konsoliduara dhe jo më një vendi si Shqipëria ku natyrisht edhe efektet do të ishin akoma edhe më të rënda”, theksoi Shalsi.

Më tej Shalsi u shpreh se “kjo ishte arsyeja që gjatë COVID-19 analizuam dhe e përqendruam politikën tonë në disa kolona si ndihmën ndaj individit, biznesit dhe duke pasur parasysh mungesën e likuiditeteve me të cilat u përballën kompanitë shqiptare injektuam kapitale për bizneset pa harruar që nëse beteja kryesore ishte ajo shëndetësore të rrisnim shpenzimet operacionale dhe kapitale për sistemin shëndetësor. Përfituesit e paketës së parë dhe të dytë ishin rreth 300 mijë, të cilët u trajtuan me paga, kontigjenti i atyre që merrnin pagesën e papunësisë, ndihmës ekonomike, me një vlerë rreth 12 miliardë lekë të reja”.

“Ne me kujdes trajtuam paketën e parë, të dytë dhe po shohim një sërë masash pak rëndësi ka nëse quhet paketa e tretë. Ne po realizojmë më shumë kujdes mënyrën e mbështetjes duke u nisur nga sektorë apo industri të veçanta, pasi janë disa sektorë që janë prekur shumë rëndë si ai i turizmit. Por edhe sektori i turizmit nuk mund të trajtohet i gjithë, sepse gjatë verës pati disa zona të cilat funksionuan, sikundër pati disa të tjera që nuk funksionuan”, – tha Shalsi.