Shqipëria renditet ndër 10 vendet me përmirësimin më të madh në gjithën botën sa i takon shëndetësisë dhe arsimit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot të dhënat shumë inkurajuese të Indeksit Global të Bankës Botërore, ku shënohet progresi i Shqipërisë në këto dy fusha.
“Mirëmëngjes dhe me këtë konstatim shumë inkurajues të Indeksit Global të Bankës Botërore, ku Shqipëria vlerësohet si një nga 10 vendet që ka përparuar më shumë në arsim e shëndetësi në vitet e fundit, ju uroj një të dielë të mbarë”, tha Rama.
Sipas këtij raporti të BB-së, gjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka shënuar përmirësime të rëndësishme në cilësinë e arsimit.
Rezultatet e testit të harmonizuar janë rritur nga 397 pikë në 2010 në 434 pikë në 2020. Shqipëria, gjithashtu ka rritur numrin e viteve të pritshme të shkollimit. Një fëmijë që nis shkollën sot, pritet të kryejë 12.9 vjet shkollim deri në moshën 18 vjeç, krahasuar me 11.6 vjet që ka qenë në 2010.
Në Shqipëri shkalla e zhvillimit të mangët të fëmijëve që janë të rrezikuar nga kufizime fizike dhe mendore ka rënë gjatë periudhës në fjalë nga 23 në 11 fëmijë për çdo 100 fëmijë.
Po ashtu, për sa i takon jetëgjatësisë së adultëve Shqipëria rezulton të ketë koeficientin më të mirë në rajon (0.93), duke lënë pas të gjitha vendet e rajonit dhe disa vende të BE-së si Hungaria, Lituania, Kroacia etj.
“Këto përmirësime lidhen me përpjekjet për reforma intensive gjatë dekadës së fundit në Shqipëri, të cilat përfshijnë politika që kanë të bëjnë me punësimin dhe pagat e mësuesve; pasurimi i kurrikulave të fokusuara në aftësi; rritjen e aksesit në të gjitha nivelet e arsimit, dhe një vëmendje më e madhe për arsimin gjithëpërfshirës duke pasur në kujdes nxënësit me më pak mundësi financiare,” është shprehur Maryam Salim, Menaxhere e Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë.