Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj gjatë raportimit në Këshillin e Integrimit tha se pandemia globale e Covid-19 ka ndikuar që procesi i Vettingut të ecë me ritme të ngadalta duke sjellë probleme në institucionet e drejtësisë.
“Për Gjykatën Kushtetuese një aspekt i rëndësishëm është procesi i Vettingut i cili ka ecur me ritme të ngadalta pasi dhe pandemia ka sjellë problemet, por punohet me partnerët ndërkombëtarë për të shtuar ritmet. Tashmë KPK ka marrë 259 vendime për gjyqtarë e prokurorë, më shumë se gjysma e tyre janë shkarkuar”,tha Gjonaj.
Gjonaj gjatë fjalës së saj theksoi se SPAK ka në hetim një sërë çështjesh të nivelit të lartë që kanë lidhje me ish-kryeprokurorë dhe ish-anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Ajo u shpreh se BKH-ja do të plotësohet brenda vitit 2020.
“SPAK ka filluar procedim penal kundër 23 ish-magjistratëve, përfshirë këtu 9 çështje të gjyqtarëve dhe prokurorëve në nivel të lartë. Hetimet e pasurisë lidhur me këto raste janë ende në proces. Por padyshim do të jenë objekti kryesor i punës së SPAK ashtu sikurse dhe veprat penale në fushën e korrupsionit me qëllim që të krijohet databaza e të dhënave për subjektet që do të ndëshkohen lidhur me veprat penale të korrupsionit. Edhe BKH do të plotësohet brenda vitit me hetuesit”, tha Gjonaj.