Nga Dritan Hila/
Takimi Vuçiç-Trump-Hoti, ishte spektakolar nga ana protokollare. Nëse serbët i imagjinojnë kosovarët vetëm si druvarë dhe shitës qymyri, besoj se këtë radhë e panë veten në të njëjtin nivel. Vuçiç dhe Hoti rrinin në të njëjtën karrige që përdoret në hetuesi.
Tavolinat ishin nga ato të shkollave të fshatit. Maja e spektaklit ishte kur në videokonferencë, Netanjahu merrte lajmin se Serbia do ta vendosë ambasadën në Jerusalem. Sa për citim, Serbia ka marrëdhënie më të mira sesa Kosova me vendet e Konferencës Islamike dhe ka statusin e vëzhgueses aty. Ndërsa Hoti mori bonusin e njohjes nga Izraeli me koncesionin për Hamasin të cilin e kishte klasifikuar si terrorist muaj më parë.Serbia nuk e njohu Kosovën, por kjo pak rëndësi ka pasi e njohën SHBA-të duke e trajtuar si të barabartë me Serbinë.
Megjithatë loja mbetet e hapur. Nëse kthehemi pas në histori, ka pasur një takim të ngjashëm gati njëzet vjet më parë. Ishte ai mes Rabin dhe Arafat. Nën presionin e Uashingtonit u arrit një pajtim gjaqesh. Palestinës iu hap rruga të bëhej shtet. Por fatkeqësisht palestinezët nuk ia dolën të dilnin nga mentaliteti klandestin e tribal. Ngritën një autoritet të korruptuar dhe fanatik. Sot, shteti i Palestinës ka humbur shumë nga miqtë e tij perëndimorë dhe është një lloj komune ku të gjithë vjedhin dhe popullsia është mish për top e interesave të shteteve arabe dhe myslimane që ndërthuren aty. Nuk ka munguar dora e Izraelit. Po kujt i dhimbsen? Askujt. Askush nuk qan humbësit.
E ngjashme është situata në Kosovë. Pa u tharë ende boja, Ramush Haradinaj nxitoi të jepte deklaratë për rrëzimin e qeverisë Hoti. Ndërkohë për fat dikush ia tërhoqi veshët që çdo ditë e më shumë ngjajnë me ato të magjarit. Imagjinoni se çfarë figure do të bënim nëse ndodhte. Por klasa drejtuese politike e Kosovës duhet t’i thërrasë mendjes. Praktikisht nga ajo marrëveshje nuk fituan asgjë. Politikisht kanë mundësi të pakufizuara të bëjnë një shtet funksional. Mbetet në dorë të tyre nëse do të jenë dikushi apo vetëm një shprehje gjeografike që dikur shqiptarët i thërrisnin Dardani dhe serbët, Kosovë.