Gjatë qëndrimit në qytetin e Vlorës kryeministri Rama foli për Top Channel edhe për çështje që lidhen me ndryshimet e mundshme në qeveri, apo arsyen se përse një pjesë e ministrave nuk do jenë në drejtimin e fushatës në qarqe.

Muhamed Veliu: Meqenëse jemi në Vlorë, ju nuk do të drejtoni fushatën elektorale të këtij qyteti por në Durrës. Pse ky vendim? Edi Rama: Se kam udhëhequr unë fushatën elektorale të Vlorës asnjëherë as më përpara. Udhëheqësi i fushatës elektorale ka qenë dhe është Damian Gjiknuri. Kështu kjo është fake news. Unë kam marrë përsipër të kujdesem për Durrësin sepse është një zonë me rëndësi të posaçme në këtë fazë kur ne na duhet të ndërtojmë aty një shembull spektakolar të ndërtimit pas gjithë asaj tragjedie që kaloi Durrësi. Është pjesa më e dëmtuar dhe pjesa më sfiduese e rindërtimit pasi aty do të duhet të bëjmë një punë shumë të madhe. Kemi ecur shumë me projektet. Siç dihet ose për atë që se dinë e përsëris se për rindërtimin në Durrës ne kemi një marrëveshje që unë e kam bërë me princin e Emirateve të Bashkuara. Janë Emiratet e Bashkuara që do të na mbështesin financiarisht dhe me ekspertizë teknike në mënyrë që të arrimë të bëjmë diçka fantastike në Durrës. Kështu që nuk ka lidhje e dyta me të parën apo e para me të dytën. Pastaj unë jam edhe nga Durrësi dhe nga Vlora jam edhe nga Shkodra madje.

Muhamed Veliu: Kryeministër pse vetëm 3 nga 14 ministra i deleguat të udhëheqin fushatën në qarqe? Edi Rama: Edhe kjo nuk lidhje, nuk e kuptoj se ku qëndron lidhja. S’la lidhje fare. Kur vjen puna tek drejtimi qarqeve dhe këtu nuk flasim njëherë për udhëheqjen e fushatës, fushata është akoma larg. Këtu flasim për ata që janë kujdestarë në këtë fazë por kjo është për t’u parë në proces dhe kush do të lodhet do të kalojë në vijën e dytë dhe mund të shkojë në stolin e rezervave. Kush do të ketë energji do të shkojë në sulm deri në fund. Kështu që nuk është përfundimtare as nuk ka lidhje je ministër apo s’je ministër. Të qenit ministër ose jo ministër nuk lidhet me këtë sepse varet se ku të kërkon partia siç i thonë.

Muhamed Veliu: Do bëni ndryshime në qeveri Kryeministër? Edi Rama: Jo për momentin.