Energjetika është sektori që po vijon të udhëheqë investimet e huaja direkte në Shqipëri. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, fluksi i investimeve të huaja direkte në formën e zgjerimit të kapitalit, vijon të jetë i përqendruar në sektorin e energjitikës, në masën 38%, i ndjekur nga sektori i ndërmjetësimit financiar në masën 21% telekomunikacionit në masën 11% dhe sektori i hidrokarbureve me 7%.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, investimet e huaja direkte kapën vlerën 454 milionë euro në gjashtëmujorin e parë të këtij vitit. Ndërkohë që për tremujorin e parë 2020 investimet e huaja direkte kishin vlerën e 227 milionë eurove, ku industria nxjerrëse dhe energjia sollën rreth 65% të investimeve totale.
Sektori i energjisë dominon investimet e huaja që nga fillimi i vitit 2016, falë projektit të madh në gazsjellësit Trans-Adriatik, por edhe shumë veprave të rëndësishme për prodhimin e energjisë hidrike. Shumica e këtyre investimeve tashmë janë drejt finalizimit ndërsa kanë nisur projekte të reja në këtë sektor kryesisht drejt investimeve në energjinë e rinovueshme. Cikli i investimeve të mëdha në energjetikë dhe sektorin e hidrokarbureve pritet të rrisë ndjeshëm vlerën e investimeve të huaja për periudhën në vijon.