Kadastra shqipatre ka njoftuar se tashmë pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë për objektet që legalizohen, mund të bëhet nga qytetarët pas marrjes së lejes së legalizimit.
Më tej Kadastra bën me dije se para këtyre ndryshimeve, për ndërtimin që do të legalizohej, vetëm pasi aplikuesi të dorëzonte në Bashki vërtetimin për shlyerjen e pagesës së taksës së ndikimit në infrastrukturë, procedohej me miratimin e lejes së legalizimit dhe se kjo kohëzgjatje në procedura, sillte jo vetëm vonesa të konsiderueshme në miratimin e lejes së legalizimit, që në shumë raste çonte deri në pamundësi të miratimit të saj, por edhe rritjen e mosinteresimit të subjekteve për përfundimin e procesit Sipas ndryshimit ligjor të bërë së fundi, tani qytetari e merr lejen e legalizimit dhe pastaj e paguan taksën në Bashki, kur të ketë lekët ose dhe me këste.
Njoftimi i plotë:
Në gusht Kuvendi miratoi ndryshimet e fundit në Ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, duke shfuqizuar nenin 27, pika 3, shkronja “c”, fjalia e dytë. E thënë thjesht për qytetarët, tashmë pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë për objektet që legalizohen, mund të bëhet nga qytetarët pas marrjes së lejes së legalizimit. Kujtojmë që para këtyre ndryshimeve, për ndërtimin që do të legalizohej, vetëm pasi aplikuesi të dorëzonte në Bashki vërtetimin për shlyerjen e pagesës së taksës së ndikimit në infrastrukturë, procedohej me miratimin e lejes së legalizimit.
Kjo kohëzgjatje në procedura, sillte jo vetëm vonesa të konsiderueshme në miratimin e lejes së legalizimit, që në shumë raste çonte deri në pamundësi të miratimit të saj, por edhe rritjen e mosinteresimit të subjekteve për përfundimin e procesit, prej të cilëve ky rregull u konceptua si një përkeqësim i pozitës së tyre. Shumë qytetarë me probleme ekonomike, e kishin të vështirë që të paguanin paraprakisht këtë taksë, duke patur si pasojë pezullimin e gjithë procesit. Sipas ndryshimit ligjor të bërë së fundi, tani qytetari e merr lejen e legalizimit dhe pastaj e paguan taksën në Bashki, kur të ketë lekët ose dhe me këste. Ky reformim i këtij procesi, dëshmon dhe një herë vizionin e Qeverisë për një proces legalizimi më kosto sa më ta ulët për qytetarin (falas).
Pikërisht, ky lehtësim i procedurës, bëhet i prekshëm duke parë shifrat e legalizimeve për muajin Gusht 2020 dhe duke i krahasuar ato me të njëjtin muaj të viti paraardhës. Kështu, sipasojë pozitive e këtij ndryshimi ligjor, në rang Republike, në muajin gusht 2020 u kryen 1828 legalizime, kundrejt 958 legalizime në muajin gusht 2019. Pra praktikisht dyfishim i banesave të legalizuara.
Në një përmbledhje të situatës, do të kishim që aktualisht numri i përgjithshëm i banesave të legalizuara arriti në 187 mijë objekte, pa përfshirë këtu dhe rreth 14 mijë apartamente të legalizuara përmes procesit të legalizimit të pallateve të braktisura nga ndërtuesit. Gjejmë rastin të vemë në dukje se gjatë muajit Gusht 2020, si pasojë e situatës së COVID-19, shumë punonjës të ASHK kanë qenë të karantinuar në shtëpi, por përsëri ritmi i punës nuk është ulur.